Përmes një njoftimi për media, Bashkësia Islame e Kosovës në Vushtrri, është sqaruar në lidhje me rastin e Sabri Beqirit, i cili u detyrua që ta shesë një viç për të paguar borxhin e anëtarësisë.
“Sot, pas verifikimit të rastit të Sabri Beqirit, KBI-Vushtrri, e ka thirrur atë për t’i shprehur keqardhje rreth rastit dhe për t’ia kthyer paratë. Gjatë kohës që ishte në zyrat tona, ai shprehu qëndrimin e tij falënderues ndaj KBI-Vushtrri. Po kështu tha se nuk ishte në dijeni se intervista e tij dhënë RTK-së do të keqpërdorej”, thuhet në njoftimin e BIK-ut. “Në ndërkohë që priste t’i ktheheshin paratë, ai mori një telefonatë prej dikujt, kështu që u çua shpejt e shpejt dhe doli nga zyrat, duke mos marrë paratë. KBI-Vushtrri apelon që rastet e këtilla mos të keqpërdoren sepse nuk është as fetare, as njerëzore. Ka qenë një lëshim, i cili ndodhë, dhe të cilin në momentet e para e kemi përmirësuar. Andaj, ata që për çfarëdo qëllimesh të ulëta tentojnë të shndërrojnë këto raste në mjete propagandistike ta dinë se janë duke kontrabanduar me nderin dhe krenarinë e qytetarëve”, thuhet më tej në njoftim.
RTK-ja mbrëmë raportoi se Sabri Beqiri nga Akrshtica e Vushtrrisë që jeton në varfëri të skajshme, Bashkësia Islame në Vushtrri e detyroi të paguajë për anëtarësi shumën prej 417 eurove, në mënyrë që nëna e tij e ndjerë të varrosej sipas ceremonive fetare.