Sindikata e Pavarur e RTK-së ka shprehur shqetësimin e saj rreth mosgatishmërisë së Bordit për ta rishpallur konkursin për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, duke e shkelur kështu Ligjin e RTK-së dhe statutin e saj. Ajo këto shqetësime ua ka prezantuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Nait Hasani, Mimoza Kusari, Shqipe Pantina, Arban Abrashi dhe Muharrem Nita.
Gjithashtu deputetët u njoftuan se për monitorimin e këtij konkursi kishin shprehur gatishmëri përfaqësuesit nga Ambasada Britanike, të cilët çuditërisht ishin refuzuar nga Bordi. Për Transmetuesin Publik është jetike që ky proces të zhvillohet në transparencë të plotë, në mënyrë që të vinë në shprehje udhëheqës të merituar dhe profesionistë.
Me deputetët e Kuvendit të Kosovës u bisedua për çështjen e Ligjit të ri të RTK-së dhe u kërkua nga ta që ky ligj të ridefinohet në mënyrë që të forcohen mekanizmat që rrisin efikasitetin e transmetuesit publik.
SPRTK gjithashtu shprehu qëndrimin e saj rreth kufizimit të pagës maksimale në RTK, duke kërkuar që kjo të rregullohet në kuadër të Ligjit të RTK-së.