Arbëri

SPRTK: Deputetët vendosën që RTK-në ta fusin nën kontrollin e plotë të politikës

Foto: Koha

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK), futjen e RTK-së në Ligjin e pagave, e ka quajtur veprimin më skandaloz të Kuvendit të Kosovës.

Kjo sindikatë thotë se pas 20 vjet funksionimi të RTK-së, “i ndërtuar në bazë të parimeve më demokratike të mundshme të vlerave perëndimore, sot iu dha fund këtyre parimeve”.

“Sot u kthyem në kohën e monizmit, sot deputetët vendosën që definitivisht politika ta fus nën kontroll të plotë Transmetuesin Publik dhe në këtë mënyrë të fillojë rrënimi i shpejtë i tij. Nëse synimi i Republikës së Kosovës është anëtarësimi në BE dhe t’i përqafojë vlerat perëndimore, me sot kjo ka marrë fund! Sepse ndërrimi i statusit të gazetarëve në shërbyes shtetërorë është e papranueshme për vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e SPRTK-së.

Më tej, në reagim, kjo sindikatë thotë se janë munduar që ta ndalojnë këtë gjë, por “fatkeqësisht nuk arritëm pasi që fatkeqësisht në Kuvendin e Kosovës ka disa deputetë që nuk po dëshirojnë vlera demokratike”.

SPERTK thotë se do të ashpërsojë format e protestës deri në bllokimin e programit të RTK-së derisa të miratohet ligji i Transmetuesit Publik.

“Nuk do të lejojmë që deputetët e Kuvendit të Kosovës, votues të të cilëve jemi edhe ne punëtorët e RTK-së, që për pazare personale ta bllokojnë ligjin e RTK-së, prej të cilit varen rreth 800 familje kosovare. Kërkojmë që gjatë kësaj seance të votohet edhe ligji i RTK-së, sepse nuk ka asnjë arsye të mos votohet më dhe në këtë mënyrë të korrigjohet gabimi i madh që bënë deputetët me futjen e RTK-së në ligjin e pagave”, thotë SPRTK, ndërsa kërcënon se “nëse kjo nuk do të ndodhë shpejt, atëherë pasojat do të jenë të mëdha”.