Përkrahje në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pret Kosova nga Samiti i Sllovenisë, që pritet të mbahet nesër.
Nga Ekzekutivi kanë thënë që e shohin të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, andaj edhe presin “mbështetje e ripërtrirje të përkushtimit për Procesin e Berlinit”.
“Marrë parasysh domosdoshmërinë për bashkëpunim rajonal e sidomos bashkëpunim më të madh ekonomik në mes të vendeve të rajonit, në këtë samit presim mbështetje dhe ripërtërije të përkushtimit për Procesin të Berlinit. Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal në frymën e Procesit të Berlinit, meqenëse bashkëpunimi i qëndrueshëm ndërtohet mbi vlerat e barazisë në mes palëve dhe duhet të jetë në shërbim të avancimit të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, presim përkrahje për Kosovën në kuadër të agjendës për zgjerim të Bashkimit Evropian dhe në kuadër të Planit Investiv dhe Ekonomik, që do të na ndihmonte të krijojmë bazë të fuqishme për zhvillim”, ka thënë Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë.
E sipas Naim Rashitit nga Grupi për Ballkanin, në Samitin e Sllovenisë, pritet të arrihet marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, për lëvizjen me letërnjoftim dhe njohjen e diplomave.
Por, ai thotë se nuk pritet të ketë lëvizje të mëdha sa i përket rritjes së bashkëpunimit rajonal.
“Në thelb është problem, sepse është më shumë sesa modalitet i formulimit por është një përpjekje për të mos njohur njëri tjetrin apo dëmtuar njëra tjetrën. Do të mbetet telashe e madhe, bashkëpunimi rajonal do të ngecë mu për këto. Fakti që marrëdhëniet e tensionuara bilaterale, mungesa e zgjidhjes së problemeve bilaterale do ta pengojë bashkëpunimin e mirëfilltë rajonal”, ka pohuar Rashiti.
Pritje të mëdha nga samiti, nuk ka as ish-ministri për Integrim Evropian, Blerim Reka.
“Takimi i nesërm në Bërdo - BE-Ballkani Perëndimor - vazhdon traditën e tubimeve dydekadëshe të presidencave rotative për mbajtjen gjallë të ‘perspektivës evropiane’, por rajoni mbeti ende në pritje të asaj ‘perspektive’ të premtuar. Ndonëse Presidenca Sllovene, para ca ditëve në Bruksel qarkulloi dokumentin për ‘anëtarësimin e rajonit deri në vitin 2030’, shtetet anëtare e refuzuan atë. Prandaj, nuk pritet që tubimi në Bërdo të jetë samit i zgjerimit”, tha Reka.
Sipas tij, pos Ballkanin, vazhdimi i status-quo së zgjerimit, po e shqetëson edhe SHBA-në, që po kërkon integrimin e plotë të rajonit.
“Pas 20 vitesh, është koha për një ringjallje të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Përendimor. Procesi duhet dinamizuar mbi bazën e gjashtë parimeve: interesi gjeostrategjik, reformimi demokratik, zgjerimi post-konfliktual, gjithëpërfshirja me anëtarësimin në pako dhe moszëvendësimi i anëtarësimit të plotë, me alternativa të tjera”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Qeveria duhet të kërkojë që të trajtohet në mënyrë të barabartë në Samitin e Sllovenisë. Por që, sipas Muhamet Hamitit, bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, është i varur nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkëpunimi rajonal po mbetet peng i dialogut dhe jo krejt për fajin e të tjerëve. Nuk dua të them, pasi Kosova nuk e ka në dorë gjithë punën, e se ka pasur asnjëherë. Por të ishte në dorën e Kosovës këto do të ishin zgjidh më herët. Normalisht kërkohet vullnet prej palëve, këtë rast i Serbisë, por edhe zell dhe përkushtim më i madh ndërkombëtar”, ka deklaruar Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Në samitin e Sllovenisë pritet të bëhen bashkë krerët e Bashkimit Evropian me ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor.