Shërbimi i Rezonancës Magnetike ende nuk ofrohet në Spitalin rajonal të Prizrenit në mungesë të aparaturës përkatëse. Ky shërbim nga menaxhmenti i Spitalit po konsiderohet si shumë i rëndësishëm për pacientët e kësaj ane. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është zotuar se deri në vjeshtë do të sigurohet aparatura për këtë Spital
Mjekët e Spitalit rajonal të Prizrenit për shumë vjet janë përballur me vështirësi në punën e tyre, shkaku i mungesës së shërbimit të Rezonancës Magnetike. Pavarësisht nismave të mëhershme për furnizimin me aparaturën përkatëse për këtë shërbim, një gjë e tillë nuk është jetësuar deri më tani.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se ky shërbim do të ofrohet për pacientët e Spitalit të Prizrenit nga vjeshta e këtij viti.
Magnetike është një shërbim i munguar për sa vite për qytetarët e Prizrenit dhe ne si Ministri e Shëndetësisë e kemi parë si të domosdoshëm investimin në këtë drejtim dhe gjatë këtij viti patjetër që qytetarët e Prizrenit do të kenë mundësinë që Rezonancën Magnetike ta kryejnë në Spitalin e Prizrenit dhe nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë në Prishtinë ose në institucionet private për të marrë këtë shërbim”, ka thënë Vitia.
Në menaxhmentin e Spitalit rajonal të Prizrenit kanë theksuar se ofrimi i këtij shërbimi është shumë i rëndësishëm për pacientët e kësaj ane.
“Për ne do të jetë një fitore e madhe të kemi një aparat të Rezonancës Magnetike. Me siguri me kohën në qoftë se shohim se fluksi i pacientëve është i madh dhe në qoftë se vlerësohet se ky Spital ka nevojë edhe për një, në bazë të mundësive do të shohim edhe do ta bëjmë. Për momentin është shumë më rëndësi që ta kemi një aparat”, ka deklaruar Hasan Arzoallxhiu, drejtor mjekësor.
Në mesin e vitit 2018, KOHA pati raportuar se si aparatura e rezonancës, e paraparë për Spitalin e Prizrenit me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë ishte dërguar në QKUK, bazuar në kërkesën e menaxhmentit të SHSKUK-së, për shkak të nevojave të mëdha, përkatësisht vjetërsimit të aparaturave në Prishtinë.
Rezonanca Magnetike është një lloj testi diagnostik që mund të krijojë imazhe të detajuara të pothuajse çdo strukture dhe organi brenda trupit të njeriut.