Deri në 300 pacientë me probleme akute në zemër transportohen urgjentisht brenda një viti nga Spitali i Pejës për në QKUK. Siç thonë mjekët, ka pasur raste edhe kur pacientët kanë vdekur rrugës. Rrjedhimisht, ata tregojnë se u kanë bërë kërkesë institucioneve qendrore të shëndetësisë për një qendër të kardiologjisë invazive në spitalin e tyre, por nuk kanë marrë përgjigje.
Një 75-vjeçare me simptomë akute-koronare, e shtrirë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, të mërkurën po bëhej gati të transportohej në QKUK.
Stabilizimi i gjendjes së pacientëve dhe bartja urgjente e tyre për në klinikën e kardiologjisë invazive në Prishtinë, është e tëra që mund të bëjnë mjekët në këtë spital.
E këtu pothuajse çdo ditë pranohen pacientë me probleme kardiovaskulare e infarkte.
“Spitali i Pejës ka nevojë imediate, nevojë të domosdoshme për një qendër invazive, për shkak se kemi një numër shumë të madh të pacientëve të cilët frekuentojnë në spitalin tonë”, ka thënë Sali Shala, shef i Njësisë Koronare.
Nevojën për bërjen e Spitalit të Pejës me kardiologji invazive, siç thotë kardiologu Shala e tregon edhe fakti se nga momenti kur pacienti konstatohet me sindromë akute-koronare, koha optimale për trajtim invaziv është brenda dy orëve të para.
Për shkak se u duhet t’i transportojnë pacientët në gjendje të rëndë deri në Prishtinë, siç tregon shefi i Repartit Internistik, Luan Rexhbogaj, ka pasur edhe raste kur pacientët kanë vdekur rrugës për në QKUK.
Sipas Rexhbogajt, ka mjaft hapësirë dhe personel mjekësor për një qendër të tillë.
“Spitali i Pejës ka dhjetë mjekë kardiologë. Dhe besoj se disa mjekë nga ne nga stafi ynë, mund të shkojnë në QKUK ta bëjnë trajnimin e nevojshëm dhe normal me ndihmën e tyre që të fillojë edhe në Pejë kardiologjia invazive”, është shprehur ai.
Ai tregon se kërkesa e spitalit drejtuar institucioneve shëndetësore për hapjen e kardiologjisë invazive ende nuk ka marrë përgjigje.
Për nevojën dhe kërkesat e shprehura nga Spitali i Pejës, KOHA të mërkurën i është drejtuar edhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, por pa sukses.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë mbulon Komunën e Pejës, Klinës, Istogut dhe Deçanit, kurse shërbime mjekësore në këtë spital marrin edhe banorë të disa vendbanimeve të Malishevës dhe Drenasit.
Sipas një vendimi të sjellë në vitin 2014 nga Shoqata e Kardiologëve të Evropës, një rajon me popullatë mbi 250 mijë banorë, duhet që ta ketë një qendër të kardiologjisë invazive dhe të koronarografisë.
Dhe rajoni që e mbulon Spitali Pejës i ka mbi 250 mijë banorë.