Arbëri

Spitalet turke refuzojnë garancitë e Kosovës, pacientëve u rrezikohet jeta

Fondi i Sigurimit Shendetesor

Me dy probleme të mëdha që e rrezikojnë drejtpërdrejti jetën e pacientëve kosovarë, të cilët nuk gjejnë trajtim në spitalet publike në Kosovë, është duke u përballur Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Ekziston një aneks me patologjitë që i mbulon ligjërisht ky institucion. Kjo listë, e pareviduar nga viti 2017, nuk përmban një pjesë të sëmundjeve të rënda. Janë disa pacientë, të cilëve deri të premten u janë refuzuar ose nuk u janë trajtuar aplikacionet për këtë arsye. Bordi e drejtori i Fondit nuk kanë kompetenca ligjore për t’ua mundësuar trajtimin pacientëve me këto patologji.

Pas pyetjeve të KOHËS, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar që ministri Rifat Latifi e merr një përgjegjësi të tillë për sigurimin e trajtimit të tyre.

“Bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka aprovuar kërkesën e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përmes nxjerrjes së një vendimi për lëshimin e fletëzotimeve për patologjitë e foshnjave të porsalindura dhe paralindjes, të cilat referohen si raste emergjente nga SHSKUK-ja, respektivisht klinikat përkatëse, me qëllim të ofrimit të përkrahjes financiare për patologjitë e tilla, të cilat rrezikojnë jetën e tyre”, thuhet nga Zyra e Komunikimit të MSH-së.

Por një problem tjetër ka dalë kohëve të fundit: Për shkak të borxhit shumë të madh të Fondit ndaj spitaleve turke, ato nuk po pranojnë më garanci nga shteti i Kosovës, por po kërkojnë që pagesa të kryhet para se pacienti të pranohet në spital, gjë që ligjërisht në Kosovë nuk është e mundshme.

Kjo i ka detyruar shumë familje që të kërkojnë para nëpërmjet apeleve publike.

Për njërin nga rastet, atë të fëmijës 2 vjeç që ka nevojë për trajtim jashtë vendi, KOHA e ka pyetur Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Ata kanë konfirmuar që Fondi ka shprehur gatishmëri ta mbulojë, por spitali nuk ua ka pranuar fletëzotimin, duke e kërkuar vetëm pagesën para trajtimit të fëmijës.

“Për informimin tuaj, siç edhe ka deklaruar pacienti, Fondi e ka mbështetur financiarisht këtë rast deri më tani në shumën prej 120,000.0€. Sot më datën 24.08.2022, Fondi ka filluar procedurat e nevojshme për ta mbështetur financiarisht trajtimin mjekësor dhe ka kontaktuar me prindërit e shtetasit dhe, sipas prindit, spitali i përzgjedhur ka deklaruar se nuk e pranon fletëzotimin e lëshuar nga Fondi”, thuhet nga Fondi.

Në një bisedë telefonike me ushtruesin e detyrës, Bujar Kaçuri, ai ka sqaruar që borxhi ndaj spitaleve private është më së paku 20 milionë euro dhe së për të bërë zgjidhje për këtë situatë duhet angazhimi edhe i institucioneve të tjera.

KOHA në një seri të gjatë të hulumtimit për këtë institucion kishte faktuar keqpërdorime të shumta, e po ashtu kishte publikuar dokumente që e dëshmonin borxhin dhjetëra milionësh të këtij institucioni, por që asokohe mohohej nga ish-menaxhmenti institutional.