Arbëri

Specialja ua ndalon Prokurorisë e mbrojtjes qasjen te dëshmitarët e njëra-tjetrës

Hashim Thaci

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur t’ua pamundësojnë Prokurorisë dhe mbrojtjes kontaktet me dëshmitarët e njëra-tjetrës, pas përfundimit të dëshmisë së tyre në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ky vendim e pason atë të mëhershmin, me të cilin Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit iu ndaluan përkohësisht vizitat dhe kontaktet me jashtë, shkaku i dyshimit për ndikim te dëshmitarët

Trupi gjykues i Speciales, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për kufizimin e mëtejmë të kontakteve me dëshmitarët. Sipas vendimit të 27 nëntorit, Prokurorisë dhe mbrojtjes u ndalohet qasja në dëshmitarët e njëra-tjetrës, pasi që ata e përfundojnë dëshminë në gjykatë.

Në përmbledhjen e vendimit, Prokuroria parashtroi se gjyqtari i procedurës parapake e mori parasysh kontaktin e palëve me dëshmitarët e propozuar nga pala kundërshtare, vetëm para dëshmisë.

“...zgjerimi i Protokollit të Kontaktit te të gjitha kontaktet me dëshmitarët e palës kundërshtare është i domosdoshëm në mënyrë që: (i) të mbrohen dëshmitarët, (ii) të respektohet pritshmëria e tyre e arsyeshme për privatësi, (iii) të mbrohet pëlqimi i dëshmitarëve dhe t’u mundësohet kërkesa për asistencë sa u përket kontakteve, (iv) të ndërtohet një regjistër transparent dhe i qasshëm i kontakteve pas dëshmive, (v) të lehtësohet vlerësimi i çfarëdo pretendimi për ndërhyrje, dhe (vi) të konkretizohen obligimet e palëve dhe pjesëmarrësve përmes një procedure të parashikueshme e të njëtrajtshme që vlen lidhur me të gjitha kontaktet me Dëshmitarët e Palës Kundërshtare”, thuhet në përmbledhjen e gjykatës për parashtrimin e ZPS-së.
Por këtë e kundërshtoi mbrojtja, ndër të tjera duke argumentuar se dëshmitarët nuk janë pronë të askujt.

“Mbrojtja parashtron se dëshmitarët nuk janë pronë e asnjërës palë, dhe se Protokoli i Kontaktit i jep prioritet interesit të ZPS-së sa i përket paraqitjes së dëshmitarëve pa ndikim prej intervistave hetuese të mbrojtjes. Mbrojtja po ashtu argumenton që kur një dëshmitar i ZPS-së jep dëshminë e tij para gjykatës, drejtpeshimi i interesave duhet të shkojë në favor të së drejtës së të akuzuarit për të zhvilluar hetimet e veta... Siç thuhet, Mbrojtja argumenton që Protokolli i Kontakteve duhet të vlejë vetëm për “dëshmitarë të caktuar që kanë masa mbrojtëse”, shkruhet në përmbledhjen e parashtrimit të mbrojtjes.
Në dispozitivin e këtij vendimi, trupi gjykues urdhëron palët të zbatojnë Protokollin e Kontakteve në raport me të gjitha kontaktet e tyre.

Ky vendim e pason atë të 17 nëntorit, kur Gjykata Speciale e miratoi kërkesën e Prokurorisë për t’ua kufizuar përkohësisht vizitat dhe kontaktet me jashtë Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, bazuar në pretendimet për përpjekje të ndikimit te dëshmitarët.
“Për këto arsye trupi gjykues urdhëron: Protokolli i Kontaktit të zbatohet përgjatë procesit gjyqësor, përfshirë kur një palë synon ta intervistojë një dëshmitarë të palës kundërshtare apo pjesëmarrës që ka dëshmuar tashmë para gjykatës, apo deklarata e të cilit është pranuar në përputhje me Rregullin 153 apo 155; Urdhëron palët dhe pjesëmarrësit që t’i binden Protokollit të Kontaktit në raport me të gjitha kontaktet me Dëshmitarët e Palës Kundërshtare; dhe ua kujton palëve dhe pjesëmarrësve se masat mbrojtëse janë në fuqi dhe të zbatueshme për dëshmitarët që intervistohen, apo dëshmitarët që japin që japin dëshmi personalisht, apo dëshmitarë që intervistohen”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Më 23 nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar një kërkesë për kufizim të vizitave të tre të akuzuarve: ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi. Në këtë kërkesë, prokuroria ka pretenduar se ka mbledhur prova, përfshirë përgjime të bisedave me vizitorë, që dëshmojnë përpjekjet e të akuzuarve për të ndikuar te dëshmitarët.
Pretendimi i ZPS-së është se të tre kanë përçuar mesazhe te dëshmitarët përmes njerëzve tjerë, duke dhënë udhëzime se çfarë të thonë gjatë dëshmive të tyre. Po më 23 nëntor, Gjykata Speciale publikoi edhe vendimin që e ka marrë më 17 nëntor, e me të cilin kufizoi përkohësisht kontaktin e Thaçit, Selimit dhe Veselit me botën e jashtme me përjashtim të familjarëve të afërt, kur kjo lejohet nga gjykata. Ky vendim për vizitat dhe kontaktet me jashtë është në fuqi deri në vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e ZPS-së.

Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së e publikuar më shkurt 2023, të pandehurit akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj edhe tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Të akuzuarit, sipas ZPS-së, kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni, shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Të akuzuarit siç pretendohet në aktakuzë, janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi thonë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale, e hiç më pak dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë këto komanda.