Gjykata Speciale u është përgjigjur kritikave të monitoruesve të sistemit të drejtësisë për mbajtjen e seancave të mbyllura në pjesën dërrmuese të kohës, gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Trupi gjykues u ka dhënë urdhër palëve të ndërmarrin hapa për hapjen e seancave. Të mërkurën ka përfunduar në seancë të mbyllur dëshmia e dëshmitarit të katërt dhe ka nisur t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë dëshmitari i pestë.
Dy ditë pasi KOHA raportoi për kritikat që iu bënë Gjykatës Speciale rreth seancave të mbyllura në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, urdhëroi palët që deri në fund të muajit të ofrojnë propozime për ta shtuar transparencën.
Ai përmendi parimin bazë të publicitetit, që nënkupton mbajtjen e seancave të hapura.
“Trupi gjykues do të shqyrtojë urdhërimin e palëve për të propozuar versione të redaktuara publike të transkripteve në seanca private apo të mbyllura që publiku ta kuptojë çfarë po ndodh. Megjithatë, nëse palët, nëpërmjet diskutimeve mes palëve dalin me zgjidhje alternative, trupi gjykues do t’i marrë parasysh këto propozime për të arritur publicitet më të madh”, ka thënë Smith.
Në fillim, urdhri i trupit gjykues u referohet palëve, e në fund kritikon avokatët e të akuzuarve si shkaktarë të mbylljes së seancave.
Këtë e kundërshtoi mbrojtësi i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e të cilit i reagoi Smith.
“Meqenëse jemi në seancë publike, gjithkush që mund të dëgjojë mund të krijojë përshtypjen se mbrojtja është përgjegjëse për këtë... Dua të them që çdo devijim nga kjo është rezultat i kërkesës së Prokurorisë, që është miratuar nga trupi gjykues”, ka thënë Emmerson.
“Nuk e dhamë këtë urdhër për ta fajësuar ndokënd. Ka pasur raste kur janë shkelur rregullat duke përmendur emrin e dëshmitarit apo emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, dhe kjo nuk ka ardhur vetëm nga Prokuroria, ka pasur shkelje të paqëllimshme. Unë po flas, mos më ndërprit, ka pasur shkelje të paqëllimshme dhe kanë krijuar probleme”, ka thënë Smith.
Në këtë shqyrtim gjyqësor është përmbyllur dëshmia e dëshmitarit të katërt që ka qenë tërësisht e mbyllur për publikun dhe ka nisur të dëgjohet dëshmia e të pestit, e cila filloi e hapur.
Vetë dëshmitari kishte qenë pjesë e UÇK-së dhe, para trupit gjykues, ka thënë se kur ka parë që po i arrestoheshin anëtarë të familjes, ka bërë përpjekje për ta ndalur rastin.
“A mund t'i tregosh trupit gjykues se çka kishin veshur këta njerëz?”, ka pyetur Deborah Mayer, prokurore e Zyrës së Prokurorit të specializuar.
“Kanë pasur uniforma të zeza të veshne me emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe maska të zeza në fytyrë”, ka thënë dëshmitari i pestë.
“A mund të na përshkruani çfarë shkruante te emblema?”, ka pyetur prokurorja.
“Shkruan: Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari i pestë do ta vazhdojë dëshminë të enjten, në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.