Arbëri

Specialja “s’do të zhbëhet”

Nga Tirana, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet.

Në një konferencë të përbashkët që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Hoti është pyetur për protestën e paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, për çka tha se protesta është e drejtë e secilit.

OVL e UÇK-së ka paralajmëruar se do të nisë iniciativën për t’i bindur grupet parlamentare që të ndryshojnë Ligjin për Specialen.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka dalë në krah presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli, pas aktakuzave për krime lufte.

Rama theksoi se Gjykata Speciale nuk duhet të deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe luftës së UÇK-së.

Rama ka shtuar se qëndrimi i tij nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje për ta penguar politikisht Specialen.

Në takimin me Ramën është diskutuar edhe për rikthimin e mbledhjeve mes dy qeverive. Rama tha se në takimin me kryeministrin kosovar janë dakorduar për realizim të marrëveshjeve që kanë mbetur pezull.

Gjatë kësaj vizite, Hoti u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.