Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë refuzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për të paralajmëruar avokatin Dastid Pallaska lidhur me disa deklarata publike, të cilat ZPS i kishte konsideruar të rreme dhe mashtruese.
Fillimisht, në vendim është paraqitur historiku procedural, ku theksohet se më 10 maj 2023, ZPS kërkoi nga Paneli që të paralajmërojë bashkë-avokatin e Hashim Thaçit, Dastid Pallaska për deklaratat publike të bëra në emisionin e RTK Prime më 13 prill 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”. Tutje, më 18 maj, me kërkesë gojore të mbrojtjes së Thaçit, Paneli ka dhënë një zgjatje të kufirit të fjalëve nga 6 mijë në 7 mijë fjalë, për t’iu përgjigjur kërkesës, e që më 22 maj, mbrojtja e Thaçit ka dhënë përgjigje, ndaj të cilës ZPS më 30 maj ka dhënë kundërëpërgjigje.
Sipas panelit, roli i Pallaskës si bashkëavokat i Thaçit nuk rezulton në shtypjen e së drejtës së tij për lirinë e fjalës, të cilën ai vazhdon ta gëzojë, por se përfshirja e tij si avokat në këto procese, megjithatë, autorizon vendosjen e kufizimeve mbi këtë të drejtë për aq sa ato janë të nevojshme dhe proporcionale për të garantuar mbrojtjen e interesave të tjera legjitime publike dhe për aq sa janë në përputhje me standardet ligjore përkatëse të zbatueshme për këtë çështje.
Paneli ka theksuar se puna e DhSK-së është çështje e interesit publik në Kosovë duke konsideruar se avokatët kanë një rol të rëndësishëm në administrimin e drejtësisë si ndërmjetës ndërmjet publikut dhe gjykatave.
Sipas Panelit, ata që janë emëruar si avokatë para kësaj gjykate kanë një përgjegjësi të veçantë për të siguruar që procesi gjyqësor të zhvillohet ekskluzivisht para Panelit përkatës dhe që proceset gjyqësore të mos zhvillohen përmes mediave.
Më tej, thuhet se atyre u kërkohet që të mos bëjnë me vetëdije deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale, përfshirë për personat e përfshirë në procedim.
Për këtë arsye, thuhet se Paneli është i mendimit se komentet e Pallaskës mbi juridiksionin e DhSK-së dhe për fushëveprimin e rastit të ZPS-së, edhe pse shpesh të painformuara dhe të pasakta, përbëjnë opinione personale që adresojnë çështje të zgjedhura që kanë dalë para DhSK-së në të kaluarën.
Në mënyrë të ngjashme, thuhet se deklaratat e avokati Pallaska për disa kategori të provave, për masat mbrojtëse dhe për paraburgimin e vazhdueshëm u bënë në mënyrë abstrakte dhe nuk ishin mjaft specifike për t’u kualifikuar si një model i komenteve për kontestin e drejtpërdrejtë para Panelit.
“Prandaj, Paneli konstaton se deklaratat e RTK-së: (i) nuk përbënin një përpjekje për të mashtruar publikun me vetëdije ose për të ndikuar në vendimet e Panelit dhe (ii) nuk ka zbuluar informacion konfidencial”, thuhet në vendim.
Rrjedhimisht, në këtë vendim Paneli ka konstatuar se ZPS-ja ka dështuar të demonstrojë se paralajmërimi i Pallaskës është i nevojshëm në rrethanat dhe se do të përbënte një ndërhyrje proporcionale në të drejtën e avokatit Pallaska për fjalë të lirë.
Për këto arsye, Paneli ka refuzuar kërkesën e ZSP-së që Pallaska të paralajmërohet.
Në vendim po ashtu flitet konkretisht për deklaratën e avokatit Pallaska se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është në gjykim në këtë rast dhe se qëllimi i ZPS-së është ta shpallë Kosovën shtet kriminal.
Lidhur me këtë, Paneli ka theksuar se ZPS-ja ka deklaruar se “UÇK nuk është në gjyq. Lufta çlirimtare e UÇK-së nuk është në gjyq” dhe se po ashtu Paneli ka deklaruar se “[Paneli] dhe palët kanë të bëjnë vetëm me ngjarjet dhe rrethanat që janë relevante për këta të akuzuar” dhe se asnjë pjesë e aktakuzës nuk sugjeron në mënyrë të arsyeshme se UÇK-ja ose Kosova në tërësi janë në gjykim.
Prandaj, Paneli ka udhëzuar avokatin kryesor të Thaçit që t’ia sjellë në vëmendje avokatit Pallaska dhe t’i theksojë e ritheksojë se çështjet në fjalë në këtë rast duhet të zgjidhen nga avokati i të akuzuarit dhe ZPS-ja ekskluzivisht para Panelit dhe jo në media.
“Paneli do të konsiderojë çdo deklaratë të mëtejshme publike të avokatit që sugjeron se UÇK-ja është në gjykim në këtë rast, si të jetë bërë me vetëdije në kundërshtim me deklaratat gjyqësore për të kundërtën’’, thuhet tutje në vendim.
Paneli thekson më tej se bie në përgjegjësitë e secilit avokat kryesor që t’i kujtojë bashkë-avokatit dhe anëtarëve të tjerë të ekipit për detyrimet e tyre sipas Kodit të Sjelljes dhe Urdhrit për Ecurinë e Procedurës dhe të lëshojë paralajmërime aty ku është e përshtatshme pa ndërhyrje gjyqësore.
Gjatë prillit ka filluar gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi