Arbëri

Specialja po bastis shtëpinë e bashkëluftëtarit të Salih Mustafës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, ka njoftuar se Specialja është duke batisur shtëpinë e bashkëluftëtarit të Salih Mustafës, Behar Berisha.

“Sapo u informova se Specialja ka filluar sërish bastisje në shtëpinë e bashkëluftëtarit të Calit, Behar Berisha”, ka shkruar Klinaku.

Lidhur me këtë Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar të komentojë, vetëm kanë thënë se ata janë duke zhvilluar operacione në mënyrë të vazhdueshme.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke kryer operacione të vazhdueshme dhe nuk kemi asnjë koment më shumë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Shtëpia e Berishës ishte bastisur edhe një herë më 14 shtator të këtij viti.

Gjykata e shkallës së parë në Hagë ia ka shqiptuar Mustafës 26 vjet burgim, që e bën këtë dënimin më të lartë për krime lufte të kryera në Kosovë, të shqiptuar qoftë nga gjykata në Kosovë apo edhe nga Tribunali i Hagës.

Ndërkohë që pas ankesës së mbrojtjes së Mustafës, paneli i Gjykatës së Apelit, më 14 dhjetor, në ora 9:30, do ta shqiptojë aktgjykimin për këtë rast.