Gjykata Speciale ka vendosur të enjten që ta ndryshojë datën e Konferencës përgatitore të prokurorit të specializuar për çështjen Thaçi dhe të tjerët. Seanca do të mbahet më 15 shkurt.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, dje e caktoi 17 shkurtin si datë për seancën e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Kjo nxiti reagime në Kosovë, pasi më 17 shkurt është përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës.
“Sot, më 19 janar, Trupi Gjykues II, pas konsultimeve të mëtejshme me palët dhe pjesëmarrësit, ndryshoi urdhrin e tij të mëparshëm (gojor) dhe caktoi Konferencën përgatitore të Prokurorit të Specializuar në ҫështjen Thaҫi dhe të tjerët, më 15 shkurt 2023, në orën 09:30”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët pritet të fillojë më 1 mars.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.