Gazetarët dhe personat e tjerë që kërkojnë të ndjekin nga afër zhvillimin e seancave gjyqësore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë u nënshtrohen rregullave strikte e masave të rrepta të sigurisë. Redaktori ynë, Driton Mehmeti, që ndodhet në Hagë ka përshkruar gjithë procedurën
Askush nuk mund të futet në këto dyer pa qenë i akredituar. Për të hyrë në këtë ndërtesë duhet të identifikohesh me pasaportë. Procedura të larta të sigurisë ndiqen edhe porsa të hysh në ndërtesë. Verifikimi për ta marrë akreditimin zgjat rreth dy minuta.
Pas kësaj duhet të kalosh në kontroll të plotë të sigurisë, sikurse që bëhet në aeroporte.
Për gazetarët pas kalimi të dy korridoreve ishte rezervuar një dhomë e veçantë e cila ishte e kufizuar në numër.
Për të shkuar në galerinë nga ku mund të ndiqej live seanca gjyqësore, duhej të kalohej përsëri një kontroll i lartë i rreptë sigurie.
Deri te hyrja e galerisë, e cila ishte një kat më lart, duhej të kalohej përmes dy dyerve të tjera.
Vendi për familjarët e të akuzuarve ishte në hyrje të saj, në këndin ku poshtë në sallën e gjyqit qëndronin ish-udhëheqësit e UCK-së .
Pjesa tjetër e sallës ishte e rezervuar për media dhe monitorues etj.
Për t’u futur në galeri nuk lejohej asnjë mjet elektronik, po ashtu edhe brenda kishte disa rregulla strikte. Gjatë tërë kohës aty duhet të qëndrosh ulur, të flasësh me zë të ulët dhe nuk lejohej të afroheshe afër dritareve nga ku shihej salla e gjyqit.
Në galeri gjatë gjithë kohës qëndronte një pjesëtar i policisë, i cili disa raste ua tërhiqte vërejtjen për ndonjë thyerje të rregullave.
Gjatë dy ditëve të para të gjykimit në sallë ka qëndruar për një kohë edhe ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli.
Dy ditët e para ka pasur numër më të madh të familjarëve e bashkëpartiakëve të të akuzuarve, ndërsa të mërkurën numri i tyre ka qenë tejet më i vogël.
Më t’u hapur perdet dhe derisa futej në sall trupi gjykues, familjarët përshëndetëshin më të akuzuarit. Përveç ditës së parë të gjykimit, kur ish-presidenti Thaçi nuk e ka kthyer asnjëherë kokën lart, në ditët e tjera ai i ka përshëndetur vëllezërit e tij dhe të tjerët.
Po ashtu, në sallën e gjyqit në anën e majtë të saj ishin të ulur prokurorët e ZPS-së, ndërsa në anën e kundërt mbrojtja dhe të akuzuarit. Përballë tyre qëndronte trupi gjykues.
Nga një pjesëtar i policisë u qëndronte afër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.
Ata ndërroheshin çdo gjysmë ore, ndërsa kur të akuzuarit e merrnin fjalën, nga dy pjesëtarë të policisë rrinin në këmbë afër tyre.
Fjalimet e secilit prej të akuzuarve kanë nxitur emocione te familjarët e tyre.
Në ndërtesën e Gjykatës Speciale përveç ujit nuk kishte asgjë tjetër që gjatë kohës së pauzave të shërbeheshin të gjithë ata që merrnin pjesë në gjykim.
Qyteti i Hagës ka qenë i stërmbushur më kosovarë këto ditë. Shumica prej tyre kishin ardhur për të marrë pjesë në protestën e cila u mbajt ditën kur nisi gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.