Të dënuarit për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë liruar me kusht me urdhër të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Vendimi është marrë më 19 shkurt dhe lirimi u mundësua me 21 shkurt me kushte të përcaktuara të cilat do mbesin në fuqi deri në përfundimin dënimeve të dhëna nga trupi gjykues, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
“Kryetarja konstatoi se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Januzi dhe z. Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre”, thuhet në njoftim.
Atyre ndër tjerash u kërkohet që të paraqiten në stacion policor çdo javë, dorëzimi i pasaportës, qëndrimi në Kosovë dhe të lajmërojnë në rast se duan të udhëtojnë jashtë dhe këtë mund ta bëjnë vetëm me leje speciale, të përmbahen nga kontakti me dëshmitarë, të përmbahen nga deklaratat publike direkte ose indirekte rreth Dhomave të Specializuara ose ZPS-së, të paraqesin kërkesë për aprovim nëse duan të kenë intervistë me media.
Gjykata Speciale më 4 shkurt pati miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila ishte arritur mes Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Bazuar në të, Shala u dënua me tre vjet burgim e dy të tjerët me nga dy.
Gjykata me seli në Hagë konstatoi se secili prej të akuzuarve ka qenë pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi në Gjykatë, duke u premtuar përfitime.
Sipas gjykatës, Januzi dhe Bahtijari duke vepruar nën udhëzimet e Shalës janë takuar me dëshmitarin në shtëpinë e vetë më datë 5 dhe 12 prill 2023. Në takimin e datës 5 prill Bahtijari i ka thënë se duhet që të tërheqë dëshminë e tij. E më 12 prill Januzi i ka bërë dëshmitarit një ofertë se Shala dhe të tjerët do ta ndihmonin atë në rast se do të tërhiqte dëshminë e dhënë.
Ai ishte aktgjykimi i katërt i Speciales. Për krime lufte është dënuar Sali Mustafa me 15 vjet burgim dhe Pjetër Shala me 18 vjet heqje lirie. E për pengim në administrimin e drejtësisë, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati me nga 4 vjet e 3 muaj burg.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë edhe dy çështje të tjera që presin epilogun, përfshirë atë ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.