Telashet teknike gjatë transmetimit të seancave të Speciales kanë bërë që monitoruesit e shoqërisë civile të kërkojnë përgjegjësi në këtë gjykatë. Përgjegjësi ka kërkuar Instituti i Kosovës për Drejtësi. Dy zëra përnjëherësh e nxirja e ekranit ka qenë një prej problemeve që i ka pasur seanca e fundit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.
Kur gjyqtari i procedurës paraprake njoftoi gojarisht për vendimet gjatë seancës në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, në transmetimin e drejtpërdrejtë në shqip dëgjoheshin zëra të dy përkthyesve në të njëjtën kohë.
Në konferencën për ecurinë e çështjes në këtë rast, telashe teknike ka pasur edhe kur është paraqitur lajmërimi për pauzë.
Shqetësime kanë adresuar në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Në IKD kanë përmendur çështjet si deformimi i zërit të dëshmitarëve në përmasat e të pakuptueshmes. Disa nga këto vërejtje janë marrë parasysh, sipas monitoruesit Lavdim Makshana. Sidoqoftë, siç ka shtuar ai, gjykata duhet të japë përgjegjësi për gabimet e vazhdueshme teknike.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet t’i tejkalojnë këto probleme teknike, pastaj kemi thënë që ndaj stafit mbështetës i cili merret me këto probleme teknike duhet të nisen procedura disiplinore. Ne mendojmë që nuk ka të bëjë me numrin e paktë të stafit mbështetës që merren me punën e logjistikës apo me problemet teknike. Problemi është te menaxhimi i seancave…staf i cili është i caktuar për mirëmbajtjen e logjistikës apo problemeve që ndodhin, teknike, nuk i kanë kryer përgjegjësitë e veta për të cilët ata janë caktuar, pra është krejt si pasojë e keqmenaxhimit apo keqadministrimit të stafit që merren me këto probleme”, ka thënë ai.
Por, Amer Alija, hulumtues i Qendrës për të Drejtën Humanitare, thotë se përgjithësisht nuk kanë hasur në probleme. Ai shton se gabimet eventuale mund të korrigjohen duke u qasur në transkriptimet që publikohen tek pas disa ditësh.
“Gjatë monitorimit të seancave gjyqësore në DHSK ka pasur raste kur transmetimi ka pasur pengesa teknike, që do të thotë se monitoruesit dhe mediat nuk kanë arritur që ta monitoronin në tërësi një seancë. Duhet po ashtu të përmendet se edhe palët në këtë procedurë shpesh marrin pjesë duke u kyçur online nga shtetet e ndryshme, ku kryesisht avokatët e të pandehurve kyçen online dhe marrin pjesë në ato seanca. Në përgjithësi mund të thuhet se transmetimet e këtyre seancave kanë shkuar mjaft mirë, përveç në disa raste kur ka pasur pengesa dhe vonesa në transmetim. Por, pas disa ditëve transkriptimet dhe video-incizimet e seancave publikohen në faqen elektronike të kësaj gjykate dhe të interesuarit mund t’i shkarkojnë dhe t’i lexojnë përsëri në rast se nuk kanë arritur ta përcjellin seancën e caktuar për shkaqe të ndryshme”, ka thënë Alija.
Gjykata Speciale në një përgjigje për KOHËN ka thënë se i merr seriozisht dhe reagon shpejt ndaj problemeve teknike.
“Sa u përket pyetjeve tuaja në lidhje me çështjet teknike, fillimisht theksojmë se shumica e transmetimeve zhvillohen pa probleme teknike. Njësitë përkatëse përbëhen nga stafi profesional dhe shërbimi funksional i transmetimit mundëson raportim të shpeshtë në Kosovë për zhvillimet në sallën e gjyqit. Megjithatë, kur ndodhin probleme teknike të papritura, DHSK-ja i trajton ato seriozisht dhe reagon sa më shpejt që të jetë e mundur për t'i adresuar ato”, ka thënë Gjykata Speciale.
Shumica e seancave të Dhomave të Specializuara nuk transmetohen duke u mbështetur në rregullat e gjykatës që kanë për qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas gjykatës, nga shtatori 2020 janë transmetuar 136 seanca në shqip, serbisht e anglisht.