Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave, lidhur me Planin vjetor të auditimit për vitin 2021-2022, ka akuzuar ish-auditorin Besnik Osmani për praktikë jo të mirë në angazhimin e këshilltarëve, derisa ka thënë se Zyrën e Auditorit e ka gjetur me 140 mijë euro minus. Lidhur me këto akuza televizioni nuk ka arritur ta marrë një përgjigje nga ish-auditori Osmani. I njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve. Spanca në Komision ka thënë se kanë pasur në plan të auditojnë të gjitha hidrocentralet, porse një gjë të tillë nuk do ta bëjnë pasi ato janë në proces të hetimit nga Prokuroria
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, e ka akuzuar ish-auditorin Besnik Osmani për praktikë jo të mirë në angazhimin e këshilltarëve, derisa ka thënë se Zyrën e Auditorit e ka gjetur me 140 mijë euro minus.
Këto akuza Spanca i ka bërë gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave lidhur me Planin vjetor të auditimit për vitin 2021-2022. Lidhur me këto akuza KOHA nuk ka arritur ta marrë një përgjigje nga ish-auditori Osmani. I njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve.
Sa i përket planit vjetor për auditim, Spanca në Komision ka thënë se kanë pasur në plan të auditojnë të gjitha hidrocentralet, porse një gjë të tillë nuk do ta bëjnë, pasi ato janë në proces të hetimit nga Prokuroria.
Për këtë arsye Spanca ka thënë se e kanë pezulluar punën në këtë drejtim. Informatat se hidrocentralet janë nën hetime, Spanca ka thënë se i kanë marrë nga Zyra Kombëtare e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). “Dokumentacionin e pranuar nga ZRRE-ja, Zyra Ligjore e Zyrës Kombëtare të Auditimit e ka shqyrtuar dhe nga ajo rezulton se hidrocentralet janë nën llupën e Prokurorit të Shtetit. Për shkak të mosndërhyrjes në punën e hetuesit, ne jemi detyruar ta pezullojmë auditimin e hidrocentraleve deri në një vendim tjetër”, ka theksuar Spanca.
Si zëvendësim të auditimit të hidrocentraleve, Spanca ka thënë se do të auditojnë investimet kapitale në sektorin e ujërave.
Ajo ka theksuar se auditimin e kanë shtrirë edhe te ndërmarrjet publike. “Këtë vit auditimet janë shtrirë edhe te ndërmarrjet publike, siç janë Korporata Energjetike e Kosovës, KOST-i, “Trepça” e po ashtu edhe auditimi i performancës së Radiotelevizionit të Kosovës, përveç atij financiar”.
Për sezonin auditues 2021/2022, Zyra Kombëtare e Auditimit ka planifikuar 131 auditime dhe 4 auditime te papërfunduara nga sezoni i kaluar. Prej tyre janë 118 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për pasqyrat financiare për vitin 2021, përfshirë auditimin e raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike, siç janë: ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike, si dhe fondet e donatorëve. Në planin vjetor të auditimit tek auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë së institucioneve publike është përfshirë edhe auditimi i pasqyrave financiare të Radiotelevizionit të Kosovës.
Spanca ka thënë se përzgjedhja e ndërmarrjeve publike për auditim është bërë bazuar në madhësinë e buxhetit, kompleksitetin e ndërmarrjeve, nivelin e përfaqësimit, rrezikun e auditimit, llojit të veprimtarive dhe në interesin e publikut.