Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka deklaruar se pritjet në Kosovë me ardhjen e Joe Bidenit në krye të Administratës amerikane kanë qenë të mëdha, por që sipas tij, kanë dalë mashtrime.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Spahiu ka thënë se këto pritje nuk kanë dalë të jenë realiste.
“Pritjet me Bidenin kanë qenë shumë të mëdha në Kosovë, por pritje që nuk kanë dalë të jenë realiste, d.m.th., jemi mashtruar dhe mund të mashtrohemi se Trumpi do ta dëmtojë sovranitetin e Kosovës, apo do t’i bëjë dëme Kosovës, sepse edhe partia e tij bashkë me Partinë Demokrate në SHBA kanë qenë të zëshme në mbështetjen e Kosovës dhe pavarësisë së saj”, është shprehur ai.
Klinaku: 99% e deklaratave të Kurtit, gënjeshtra – ky Asociacion më i keq se i 2013-s
Profesori universitar, Faton Klinaku, ka thënë se dërgimi i draftit të statutit të Asociacionit, do ta vuloste atë si përgjegjësi të Kosovës.
Duke iu referuar zotimit të sotëm të Kosovës se do të dërgojë në Kushtetuese një draft bazuar në propozimin e FES-it, tha se ai është më i keq sesa Asociacioni që parashihte marrëveshja e vitit 2013.
“Gënjeshtra që gjoja drafti fillestar i nënshkruar nga Isa Mustafa e ka hedhur poshtë Kushtetuesja, edhe vetë kryeministri aktual ka luajtur e mendon se është ashtu. Ajo (Kushtetuesja) ia ka dhënë një vulë të fortë se kalon, por në disa pjesë duhet të ketë kujdes. Këtë Asociacion që të gjithë po pajtohemi se është më i keq, ka dalë nga kornizat e 2013-s, Kushtetuesja përsëri i jep vulë dhe e nënshkruan duke thënë se ‘këto nene duhet të kenë kujdes’. Çka bën Kushtetuesja, i bën disa vërejtje në disa nene, thotë kini kujdes dhe e vulos. Kurti gënjen në 99 për qind të rasteve, Këtë e bën për militantët e vetë”, ka deklaruar Klinaku.
Spahiu: Asociacioni do t'i shërbejë Serbisë për të futur një këmbë në Kosovë
Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Avni Spahiu, ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i shërbente Serbisë për të ndikuar në Kosovë.
Sipas tij, çfarëdolloj asociacioni serb në Kosovë do të nxiste Serbinë “të kishte ambicie për pjesën tjetër të Kosovës”.
“Çështja e Asociacionit është pasojë e nënshkrimeve të lehta, të propozimeve gjatë bisedimeve. Po flas për Marrëveshjen e 2013-s, është nënshkruar pa e vlerësuar mirë atë punë, e pasojat e kësaj lehtësie të nënshkrimit po i shohim edhe sot. Çfarëdo lloj asociacionit do t’i shërbejë Serbisë për të futur një këmbë në Kosovë. Madje, edhe nëse realizohet një asociacion çfarëdolloj, Serbia do të kishte ambicie për pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë Spahiu.
Sipas ish-ambasadorit, Kosova ka ardhure në një situatë ku duhet të mbajë fjalën e dhënë ndaj Bashkimit Evropian “dhe këtë duhet dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, por siç ka thënë ai, kjo s’pritet të kalojë.
Klinaku: Qesharake t'i thuhet Perëndimit, 'pse ma vendosët kusht zotimin tim'
Analisti Shukri Klinaku ka deklaruar se është qesharake që kryeministri Albin Kurti të ankohet se është kushtëzuar “me zotimin e dhënë nga ai vetë për Bashkimin Evropian”.
Klinaku ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se çështja e anëtarësimit të Kosovës është politike.
“Çështja është politike, politkën e bëjnë njerëzit që duan të votojnë ata vendosin kushte çfarëdo që duan. Mund të ankohesh sa të duash, por këta vetë janë zotuar se do t’i bëjnë e të thuash pse ma vendose kusht zotimin tim, është qesharake...Ai erdhi në pushtet duke thënë se s’do të luajë seri me Asociacionin, por s’ka ndodhur kështu”, ka thënë Klinaku.
Sipas tij, një politikë e tillë e Kurtit është e dëmshme për Kosovën.