Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka konsideruar se me veprimet e fundit në veri është bërë një hap shumë modest për shtrirje të sovranitetit në atë pjesë të vendit.
Spahiu ka theksuar se pavarësisht që i dëshmuam botës se kush përdor dhunë në veri dhe se kishim të drejtë legjitime për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, kjo siç thotë ai, nuk i ka mjaftuar ndërkombëtarëve.
“Duhet menduar a bëjmë ndonjë hap të rëndësishëm të vendosjes së sovranitetit me këto veprime? Ne i dëshmuan botës ndërkombëtare që ata që shfaqin dhunë janë serbët në veri, por në aspektin e vendosjes së sovranitetit të plotë është një hap shumë modest. Ndërkombëtarët kanë fajësuar të parën palën tonë. E drejtë apo jo, ky është qëndrim evident i këtij rasti. Ne mund të mendojmë se kjo nuk është e drejtë sepse dihet kush përdori dhunën, kishim të drejtë legjitime t’i vendosnim kryetarët shqiptarë në objektet komunale, por po shihet që kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ndërkombëtarët, të cilët thonë se ajo ishte shkaku i dhunës së shpërtheu”, ka thënë Spahiu në “Konfront” të KTV-së.
Spahiu ka thënë se të gjitha qeveritë kanë qenë të preokupuara me pjesën veriore të vendit, por ka vënë në pah se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht kështu.
“Përpjekjet për të vendosur sovranitet në atë pjesë të vendit janë legjitime dhe ka qenë një preokuopim i të gjitha qeveria që nga shpallja e Pavarësisë. Kishim një përpjekje tjetër tash, por tani është krijuar një lloj status-quo me Policinë tonë, të cilët kanë bërë një punë shumë profesionale përkundër rrethanave dhe dhunës që është përdorur nga pala serbe. Kemi ende praninë e grupeve të ndryshme ekstremiste, të dhunshme, por edhe të njerëzve që punojnë në institucionet paralele që presin çfarëdo urdhri nga Vuçiqi, i cili është ai që dirigjon këto veprime. Prandaj, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht kështu”, ka shtuar Spahiu.
Ish-ambasadori ka thënë se tani duhet të bëhet diçka konkrete që pasojat e ndërkombëtarëve të mos vazhdojnë ta dëmtojnë Kosovën.