Vetëm 45 anesteziologë janë të angazhuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët duhet të kujdesen për 40 njësi punuese dhe 34 salla operative.
Krahas mungesës, institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen edhe me largimin e këtij stafi, qoftë në klinikat private apo edhe jashtë Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv, Gazmend Spahija, ka thënë për Ekonomia Online se aktualisht në QKUK nevojiten edhe 80 anesteziologë. Ai ka thënë se me këtë numër kaq të vogël, ata angazhohen në 40 njësi punuese.
“Për momentin në QKUK i kemi 45 anesteziologë të angazhuar në total. Këta 45 anesteziologë janë të angazhuar në 40 njësi punuese aty ku ka nevojë për anestezion, i kemi 34 salla operative aktive që mundohen me u mbulu edhe gjashtë njësi që ne i themi internistike, ku kryhen edhe gastroskopitë, kolonskopitë. Mandej në Radiologji, ku kryhet brahioterapia, rezonanca magnetike, fëmijët të cilët kanë nevojë për anestezion. Ne me këtë numër jemi të angazhuar në këto 40 njësi të cilat mundohemi me i mbulu”, ka thënë Spahija.
“Po sipas llogaritjeve që kemi bërë ne, në kolegjiumin e Klinikës së Anestezionit duhen 120 anesteziologë. Po ashtu tentojmë që asnjë sallë të mos mbetet pa anesteziologë, se gjatë kësaj periudhës të fundit kohore kemi edhe shtim të shërbimeve në QKUK. Këtë shtim të shërbimeve nuk po mundemi ne me e ndjekë, kemi klinika të cilat i kanë katër salla operative, të cilat ne nuk po arrijmë t’i furnizojmë t’i delegojmë, katër anesteziologë në të njëjtën kohë, ne tentojmë që prej atyre katër sallave së paku 50 për qind e tyre të punojnë, mundohemi të sigurojmë së paku dy anesteziologë në sallë”, u shpreh Spahija.
Ai ka thënë se vetëm në vitin 2022, QKUK-së i janë larguar 11 anesteziologë.
“Po vetëm vitin 2022 neve na u kanë larguar 11 anesteziologë, domethënë ka qenë një vit ku kemi pasur një vit shumë të madh të anesteziologëve, një është pensionuar, një fatkeqësisht ka ndërruar jetë, kështu që ne në total prej 2020-ës kur kemi pasur vetëm largimin e parë të kirurgëve, kemi mungesë prej 23 anesteziologëve duke i përfshi edhe anesteziologët të cilët janë pensionuar apo edhe ata dy kolegët të cilët fatkeqësisht kanë ndërruar jetë”, u shpreh tutje ai, teksa thotë se nuk ka asnjë anesteziologë të papunë në Kosovë. Për deri tani e kemi shtatë specializantë të cilët e kanë ndërprerë kontratën e punës, kanë dalë jashtë, prej 44, katër specializantë të anestezionit nuk kanë ardhur fare, nuk janë lajmëruar fare, domethënë vetëm 40 prej atyre vetëm na u kanë larguar, largimi jashtë Kosovës është kryesisht largim i specializantëve, përndryshe specialistët të cilët largohen prej QKUK-së dalin krejt në sektorin privat. Normal, kushtet e punës nuk mund të themi që i kemi të këqija në anestezion, por jo pagat, mandej në këto shërbimet 24 orësh që po i mbajmë, kujdestaritë ne i kemi të shpeshtuara çdo të 6-tën ditë, domethënë janë kujdestaritë të shpeshta, kujdestari me një punë voluminoze dhe kjo e rritë ngarkesën e një anesteziologu, në sektorin privat kujdestaritë i ka shumë më të rralla, paga është normal më e mirë edhe për atë edhe kjo joshje po i largon”, ka thënë Spahija.
Problematikë tjetër për sektorin publik është edhe mungesa e infermierëve.
Ikja jashtë shtetit dhe pensionimi janë dy shkaktarët që kjo Klinikë po përballet me mungesë të infermierëve. Gjithashtu, Spahija thotë se në kohën kur infermierët dalin në pushime të rregullta apo të lehonisë, nuk zëvendësohen me të rinj.
“Për klinikën e Anestezionit ne kemi bërë kërkesë për 25 infermierë, telashet që po na lindin janë telashet se infermierët krejt i kemi të moshave të reja, infermierët të cilët marrin pushime edhe të shtatzënisë, pushimet e lehonisë, këta infermierë mbesin infermierë të klinikës sonë, por ata kur marrin pushimin e shtatzënisë ata largohen fatkeqësisht deri tash nuk kanë mbërri me kompensu me infermierë tjerë dhe infermierët të cilët kanë mbet kanë qenë më të ngarkuar domethënë edhe me punën e tyre”, ka thënë Spahija.
Ai është shprehur optimist se me pranimin e 70 infermierëve të rinj në QKUK, do të mbulohet sado pak boshllëku i tyre në këtë klinikë./EO