Arbëri

SP e RTK-së dënon gjuhën fyese të drejtorit të RTK-live, Mentor Shala, ndaj votuesve të Kosovës

Valon Ramadani - RTK

Kryesia E Sindikatës së Pavarur të RTK-së përmes një reagimi ka dënuar gjuhën fyese të ish-drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, aktualisht drejtor i RTK-live, Mentor Shala, të përdorur ndaj një pjese të madhe të votuesve të Kosovës, duke i cilësuar ata prorusë e antiperëndimorë, pasi mbështetën Vetëvendosjen. Kjo Sindikatë ka kërkuar nga Bordi menaxhues i transmetuesit publik të distancohet nga cilësimet e tij denigruese ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në reagim thuhet:

Sindikata e Pavarur e RTK-së denon ashpër gjuhën fyese te drejtorit të RTK-live, Mentor Shala, i cili pjesën më të madhe të votuesve të vendit tonë i quan prorus dhe antiperëndimor.

Përmes këtij shkrimi që nxiti reagimin e mijëra qytetarëve, ai eskalon mëtutje duke deklaruar se me këtë votim, "prej sot më larg e kemi shtetin e Kosovës."

SPRTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, që të distancohen nga kjo gjuhë denigruese e drejtorit të Mediave online në RTK, e cila shkelë rëndë kodin etik dhe standardet profesionale të Transmetuesit Publik.

Organet drejtuese të RTK-së të mos jenë selektiv por rastin ta trajtojnë konform rregulloreve të RTK-së.

Transmetuesi Publik është i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe votuesit pavarësisht bindjeve të tyre politike janë qytetarë të vendit tonë, përfundon reagimi i nënshkruar nga kryetar i SPRTK-së, Fadil B.Hoxha.

Lexoni edhe: Drejtori i RTKLive thotë se qytetarët dje vendosën për Rusinë