Arbëri

Sot shënohet Dita e Lirisë së Shtypit

kamera

Sot shënohet 3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Me këtë rast Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Medie, do të mbajë një diskutim për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit. Diskutimi fillon në Muzeun kombëtar dhe fillon në orën 11:00.

Në Indeksi Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës "Reporterët pa Kufij" për këtë vit, Kosova ka rënë për 19 pozita. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, sivjet ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve. 

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.

3 Maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.