Arbëri

Sot pritet të hiqet ora policore në Kosovë (draft-vendimi)

Sot pritet të hiqet ora policore në Kosovë. Kështu ka konfirmuar për KOHËN zëdhënësja e Qeverisë në detyrë, Antigona Baxhaku.

Ajo ka thënë se mbledhja po vazhdon ende të mbahet, porse propozimi ka gjetur përkrahje nga shumica.

Baxhaku tutje ka thënë se ora policore do të hiqet nga zonat e kuqe, operatorët ekonomikë do të punojnë deri në orën 22:00 dhe studentët i kthehen ligjëratave në fakultet, duke u hequr kështu opsioni online.

Ajo ka thënë se në fund të mbledhjes do të ketë komunikatë zyrtare për media.

Ndërkaq në draft-vendimin e Qeverisë të siguruar nga KOHA lidhur me masat e reja, bëhet e ditur se qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit në bazë të parimit të reciprocitetit.

Gjithashtu në draft-vendim është ndryshuar edhe numri i personave që mund të qëndrojnë në hapësira të mbyllura.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 50 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 80 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në dokument.

Komunat vazhdojnë të jenë të kategorizuara në të gjelbër, verdhë e të kuqe.

{gallery}