Arbëri

Sot nisi gjysmëvjetori i dytë në 97 shkollat e rajonit të Pejës

Pejë, 18 janar – Objektet shkollore në komunat e rajonit të Pejës të hënën për gjysmëvjetorin e dytë kanë hapur dyert për rreth 40 mijë nxënës sa ndjekin mësimin në 97 shkolla të dy niveleve në komunën e Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit.

Siç kanë njoftuar për KOHËN, drejtuesit e arsimit në këto komuna, asnjëra shkollë nuk është detyruar të mbetet e mbyllur jashtë procesit mësimor për shkak të rasteve të mundshme me Covid-19.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Besim Avdimetaj, i ka thënë KOHËS se të gjithë nxënësit kanë nisur mësimin, ndërsa procesi mësimor, sipas tij në shkolla ka nisur të mbahet në variantin A, kurse në disa shkolla ku numri i nxënësve në klasa është më i madh, siç tha ai, mësimi do të zhvillohet në varantin B.

Avdimetaj tregoi se aktualisht është vetëm një rast me Covid-19 në mesin e mësimdhënësve, i konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Për momentin kemi vetëm një mësimdhënës të infektuar me Covid. Për raste tjera të infektuarve në mesin e mësimdhënësve apo nxënësve nuk kemi informacione nga Institut i Shëndetit Publik. Kurse mësimdhënësit që kanë qenë me Covid-19, janë shëruar gjatë pushimit mes dy gjysmëvjetorëve”, tha Avdimetaj.

Sikur në Pejë, edhe në tri komunat tjera, objektet shkollore kanë qenë të përgatitura për procesin mësimor, me dezinfektim t objekteve dhe sigurimin e materialeve dezinfektuese nëpër shkolla. Në komunën e Istogut, procesi mësimor ka nisur gjithashtu pa probleme në 11 shkollat fillore dhe dy të mesme.

“Rreth shtatë mijë nxënës sa kemi në komunën tonë, kanë nisur mësimin në gjitha shkollat. Probleme nuk kemi pas. Për momentin nuk e kemi asnjë rast aktiv të konfirmuar me Covid-19. Kemi dy mësimdhënës si raste të dyshuara”, tha drejtori i Arsimit në Istog, Hajrush Shoshi.

Edhe në Klinë, koronavirusi nuk ka mbajtur mbyllur asnjë shkollë me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të këtij viti shkollor. Në 29 shkolla të dy niveleve, prej të cilave dy të mesme, procesit mësimor i janë kthyer mbi 7 mijë nxënës sa janë në këtë komunë.

“Mësimi ka filluar në gjitha shkollat e Klinës dhe aktualisht nuk kemi asnjë problem në asnjë shkollë. Procesi mësimor ka nisur me variantin A në gjitha shkollat. Vetëm këtë javë në Shkollën e Mesme Profesionale, klasat e dhjeta kanë filluar me skenarin A, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta me skenarin e kombinuar B, tri ditë në shkollë dhe dy ditë në shtëpi. Aktualisht kemi vetëm një mësimdhënës të diagnostifikuar dje me Covid-19”, tha drejtor i Arsimit Klinë, Enver Gashi.

Të dezinfektuara dhe të përgatitura për procesin mësimor në gjysmëvjetorin e dytë i kanë mirëpritur mbi 5 mijë e 500 nxënës 20 shkollat në komunën e Deçanit, prej tyre dy shkolla të mesme.

Bekim Vishaj, drejtori i Arsimit në Deçan, ka thënë se edhe në këtë komunë, si në tri komunat tjera të këtij rajoni, procesi mësimor ka nisur pa asnjë problem në gjitha shkollat.

“Të gjitha shkollat zhvillojnë procesin mësimor në variantin A. Veç një shkollë e kemi që mësimi zhvillohet me variantin B. Shkollat janë pajisur me materialet dezinfektuese. Aktualisht nuk kemi dhe nuk kam informatë zyrtare që kemi ndonjë mësimdhënës të infektuar me koronavirus. Kush ka qenë i infektuar është shëruar”, tha Vishaj.