Kandidati për raportues special në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për Kosovën, Aleksej Kondratjev tha se kundërshtimi i Prishtinës për zgjedhjen e tij nuk përbën ndonjë risi dhe se duhet të kuptohet mentaliteti i shqiptarëve të Kosovës, transmeton Koha.net deklaratën e tij dhënë Sputnjikut, portalit prorus në Serbi.
Kondratjev i tha këtij portali se që nga momenti i hyrjes së njësisë ruse në përbërje të KFOR-it në territorinm e Kosovës, shqiptarët janë sjellë shumë negativisht ndaj rusëve dhe në çdo mënyrë kanë bërë me dije se nuk janë të gatshëm për dialog e bashkëpunim.
Shqiptarët, siç citohet të ketë thënë ai, kanë preferuar që në vend të rusëve të jetë kontingjenti amerikan, prandaj për të kjo sjellje e tyre nuk është e habitshme.
Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës sot duhet të vendosë për zgjedhjen e raportuesit të ri për Kosovën, dhe njëri nga tre kandidatët për këtë post është Kondratjevi, emri i të cilit ka shkaktuar reagime shumë negative në Prishtinë, rikujton Koha.net.
Ndër të tjera është paralajmëruar nga zyrtarët e Kosovës se nuk do të bashkëpunojnë me të.