Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot mbajnë mbledhje të përbashkët në Prishtinë.
Me nderimet më të larta shtetërore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Dy kryeministrat parakaluan para pjesëtarëve të Gardës të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët intonuan himnet shtetërore të dy vendeve.
Para mbledhjes zyrtare të qeverive, dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.
Pas mbledhjes do të nënshkruhen marrëveshjet ndërmjet dy shteteve, për lidhjen e protokollit për zbatimin e marrëveshjes për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë dhe nismën për memorandum të mirëkuptimit në mes të dikastereve të ekonomisë së dy shteteve lidhur me sektorin e Energjisë, raporton KP.
Pas kësaj, Kurti dhe Mickoski do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë, Venera Azizi duke komentuar mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet në Prishtinë, ka thënë se ky takim shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe një shembull të bashkëpunimit që na afron drejt një rajoni më të zhvilluar dhe të integruar.
Ajo ka shkruar në Facebook se partneriteti ynë sot është më i fortë se kurrë.
“Në agjendë janë marrëveshje konkrete që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ky është vizioni për një të ardhme më të mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Kosovës.
Kurti: Jam i gatshëm dhe i vullnetshëm që sa më parë ta mbajmë mbledhje me Qeverinë e Shqipërisë
Kryeministri Albin Kurti, në konferencën e mbajtur me homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski, pas mbledhjes së dy qeverive që u mbajt të hënën në Prishtinë, ka thënë se është i gatshëm që sa më parë Qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje edhe me Qeverinë e Shqipërisë.
“Sa i përket mbledhjes me Republikën e Shqipërisë, të të dy qeverive tona, ne tashmë i kemi mbajtur dy mbledhje. Tani jemi barazuar sepse edhe me Maqedoninë e Veriut i kemi mbajtur dy mbledhje. Unë jam i gatshëm dhe i vullnetshëm që sa më parë ta mbajmë mbledhjen me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se zbatimi i 58 marrëveshjeve të nënshkruara me Shqipërinë në dy mbledhjet e para ka shkuar jashtëzakonisht mirë, përkundër faktit që në këtë mandat nuk është organizuar një mbledhje e tretë.
Mbledhja e dy qeverive dështoi të mbahej në qershor të vitit të shkuar, pas anulimit të pjesëmarrjes nga kryeministri Rama, shkaku i dallimit në qëndrime me kryeministrin Kurti.
Ndonëse mbledhja nuk u mbajt, Kosova dhe Shqipëria në distancë nënshkruan dhjetëra marrëveshje, pjesa më e madhe e të cilave, sipas Qeverisë së Kosovës, është zbatuar.
Ndërkohë në konferencë me Mickoskin, Kurti ka folur edhe për rritjen e shkëmbimit tregtar me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se është optimist që vlera e tij të arrijë në gjysmë miliardi euro.
“Sa i përket shkëmbimeve tregtare, ato po rriten ndër vite. Unë jam shumë optimist që do ta arrijmë gjysmë miliardëshin, sa i përket eksporteve të Kosovës në përgjithësi, po ka sukses me eksportet e industrisë së lehtë, pijet dhe ushqimi, përpunimi i lëkurës dhe tekstili, përpunimi drurit, këto janë fushat që Kosova ka më shumë eksport”, ka theksuar Kurti.
Ai ka folur edhe për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, për të cilën ka thënë se duhet pritur vendimi i Gjykatës kushtetuese atje.
“Me çfarë kam kuptuar unë kjo është çështje e gjykatës kushtetuese në Maqedoni të Veriut pasi tri dispozitat për përdorimin e gjuhëve janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe këto tri dispozita paradoksalisht nuk janë vënë në jetë në të kaluarën. Duhet ta sqarojmë një gjë, nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe e as nuk ka pasur në të kaluarën, ka ligj për përdorimin e gjuhëve. Duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje. Dëshirojmë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut dhe për këtë do të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Kurti.
Mickoski për flatarrestimet ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së: Kushdo që s’i ka shkelur ligjet mund të vijë lirisht në Shkup
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka folur edhe lidhur me arrestimet e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Maqedoni të Veriut.
Ai ka thënë se kushdo që s’i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e shtetit të tij, mund ta vizitojë lirisht Shkupin.
“Sa i përket personave që janë me fletarrestimet, askush që nuk i ka shkelur ligjet e Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe askush që nuk ka konflikt me ligjet dhe Kushtetutën lirisht mund të vijë të shëtis në Shkup, në Maqedoni të Veriut, unë i ftoj të vijnë, ne jemi shtet mikpritës”, ka theksuar Mickoski.
Ai ka thënë se takimi që e zhvilloi me Kurtin para nënshkrimit të tri marrëveshjeve në mes të dy vendeve, ishte produktiv dhe me diskutime të hapura e transparente, që sipas tij ka rëndësi për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy vendeve.
Ai ka thënë se është i bindur që e ardhmja e të dy vendeve është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Jemi të bindur se ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se përmes angazhimeve të përbashkëta mund t’i tejkalojmë sfidat dhe të sigurojmë prosperitet dhe stabilitet për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.
Nënshkruhen marrëveshjet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Janë nënshkruar marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas mbledhjeve që kanë zhvilluar qeveritë e dy vendeve të hënën në Prishtinë.
Janë nënshkruar marrëveshje në fushën e energjisë dhe atë të arsimit, si dhe një protokoll teknik për lehtësimin e lëvizjes së lirë në mes të dy vendeve.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelala Sveçla, me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Pance Taskovski nënshkruan protokolli për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar.
Memorandum mirëkuptimi u nënshkrua edhe ndërmjet ministrive të Ekonomisë, ku dy ministret Artane Rizvanolli e homologia e saj maqedonase vunë nënshkrimet e tyre në memorandumin për sektorin e energjisë.
Po ashtu, memorandum u nënshkrua edhe mes ministres së arsimit Arbërie Nagavci nga Kosova e Vesna Janevska nga Maqedonia e Veriut.
Këto marrëveshje u nënshkruan në prani edhe të dy kryeministrave atij të Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Kurti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, por bashkëpunim të gjerë.
Duke folur në mbledhjen e përbashkët në mes të dy qeverive që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se me këtë vend fqinj ka jo vetëm partneritet përmes tregtisë por edhe lidhjeve familjare e bizneseve.
“Më lejoni të filloj këtë takim duke theksuar një pikë të rëndësishme, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë, të lidhur, jo vetëm përmes tregtisë që është çdo herë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti.
Ai shtoi se takimi i së hënës ka edhe rëndësi simbolike për shkak të 15 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve.
Ai tha se deri tani janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume. /KSP
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën do të jetë mbi gjysmë miliard euro
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës ka njoftuar se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të jetë mbi gjysmë miliard euro.
Mickoski ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për pritjen e sotme duke shpresuar për marrëdhënie akoma më të mira mes dy vendeve.
“Shpeshherë takohemi jashtë shteteve tona dhe shpeshherë bisedojmë për gjendjet në vendet tona. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe presionet rajonale. Çdoherë bashkërisht kolaudojmë se nëse punomë bashkë do të jemi më të fuqishëm me që uniteti është ai që fqinjët duhet t’i bëjë më të fuqishëm. As ne dhe as ju në momente të caktuara nuk keni çdo gjë që ju duhet. Në ndonjë moment nuk e kemi ne e keni ju dhe e kundërta dhe kështu duhet të funksionojnë shtetet fqinje dhe të funksionojnë fqinjët siç jemi ne”, ka thënë Mickoski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se bashkëpunimi ekonomik me Kosovën është synim i dy vendeve që, sipas tij, do të jetë mbi gjysmë miliard euro.
“Gjatë takimit bilateral përcaktuam me mikun tim të dashur një synim, këtë vit bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona. Në vitet që pasojnë në drejtim që bashkëpunimi ekonomik të jetë akoma më i madh meqë kjo do të na sjellë benefite për dy shtetet tona dhe jam i bindur se do t’ia dalim në këtë. Nga ana tjetër jam i lumtur që bashkërisht gjatë procesit të Berlinit firmosëm marrëveshje me çka formojmë treg të përbashkët që është mekanizëm i rëndësishëm për të gjithë ne meqë tani kemi 17-18 milionë euro treg të përbashkët. Nëse jemi bashkë akoma më shumë do të përfitojmë nga tregu edhe ne edhe ju si shtet”, ka shtuar ai.
Mickoski, ka përmendur edhe marrëveshjet të cilat, sipas tij, janë në pjesën e energjetikës dhe kalimet ndërkufitare.
Ai ka konsideruar se duke punuar bashkërisht do të avancojnë tutje marrëdhëniet miqësore.
“Sot do të nënshkruajmë marrëveshje në pjesën e energjetikës, në pjesën e rregullimit të kalimeve ndërkufitare. Do të jem i lumtur nëse për disa javë prej sot në vend të dytë të kemi një pikë të vendkalimit kufitar ku qytetarët që hyjnë e dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi e jo në dy dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi dhe të shkaktojë ndjenjë të pakëndshme në kalimet kufitare. Të kemi një pikë kufitare dhe të shpejtohet transferi i udhëtarëve meqë ne synojmë drejtë Evropës dhe pa kufij. Në pjesën e energjetikës mund të bashkëpunojmë si shtete”, është shprehur ai.
Kryeministri maqedonas tha se ministrat e energjetikës në shumë çështje mund të gjejnë gjuhë të përbashkët në pjesën e shkëmbimit të energjisë elektrike. /KSP