Qeverisja katërvjeçare e ekzekutivit të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti do të jetë tema e debatit që do të zhvillohet sot. 

Ky ka qenë propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i paraqitur të hënën e kaluar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Benik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë pati thënë se si parti e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm këtë debat. 

“Propozimi ynë ka qenë që të ketë debat për mandatin e kryeministrin Kurti. AAK e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme këtë debat. Për një mandat asnjë projekt nuk është përmbyll. Në qoftë se ikë edhe prej këtij debati ai e merr barrën e dështimit. Ballafaqimi në këtë seancë do të jetë në sektor të ndryshëm dhe e shohim tejet të rëndësishëm që z. Kurti të mos ikë”, ka theksuar Tahri.

Ky debat është përkrahur edhe nga LDK-ja.

Ministri Aliu flet për vilën e Radoiçiqit

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 18:56
Liburn Aliu

Ministri i Infrastrukturës, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Liburn Aliu ka dhënë detaje për ndërtimin e vilës së  Milan Radoiçiq te liqeni i Ujmanit.

Ai duke iu kundërpërgjigjur akuzave të deputetëve opozitarë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, kur u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, u krijuan kushtet për vendosjen e rregullit të plotë në veri. 

“Lidhur me shtëpinë e Radoiçiqit. Disa raporte thonë se ka filluar më herët, ka vazhdu në kohën kur kemi qenë ne në qeverisje...Po supozojmë se shtëpia është ndërtu në kohën kur kemi qenë ne në qeverisje. Po ju them jo vetëm shtëpia e Radoiçiqit, por ka shumë e shumë punë tjera që strukturat paralele serbe atje i kanë bë...Derisa s’ka ndodhur Banjska strukturat paralele jo që kanë ndërtu, po e kanë ndërtu edhe Kodrën e Diellit e shumë e shumë gjëra tjera, të cilat shteti i ynë si ka pasur nën kontoll. Kjo gjatë mandatit tonë por edhe mandateve të mëhershme. Në mandatin e mëhershëm është ndërtu Kodra e Diellit, ka pasur ndërtime pa leje e me leje kudo, ka vazhdu edhe gjatë mandatit tonë në fillim, derisa në mënyrë graduale kemi punuar për të vendosur infrastrukturën atje, për të vendosur bazat policore e është futur policia. Ka ndodhur në fund Banjska dhe pas Banjskës u krijuan kushte me vendosur rregull të plotë dhe me shku me ndal vilën e Radoiçiqit”, ka thënë Aliu në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se në fillim të mandatit në veri ka shkuar me përcjellje policore, porse tash s’ka nevojë për këtë dhe shkon me veturë zyrtare vetëm me shofer. 
 

Kurti vazhdon kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, përmend emra

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 17:56
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka adresuar akuza ndaj sistemit të drejtësisë, veçmas kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë prokurorinë dhe gjyqësinë, prandaj ende s’është zbardhur rasti i Astrit Deharit.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se qeveria ka ndryshuar katër vjet më parë, por njerëzit kryesor në Këshillin Prokurorial dhe Gjykatën Kushtetuese janë ende të njëjtë.

Kreu qeveritar sërish përmendi mungesën e daljes në zgjedhje të njerëzve që udhëheqin sistemin e drejtësisë.

Krahas kësaj, ai nënvizoi se sistemi i drejtësisë s’po dëshiron të reformohet.

“Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë dhe gjyqësinë. Prokuroria duhet ta zbardhë rastin e shokut tonë, të mbytur në burgun e Prizrenit me 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Prokuroria nuk është reformuar. Ne vitin e ardhshëm i bëjmë 4 vjet qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim dhe funksion është Blerim Isufaj, i cili vrasjen e Dino Asanaj e shndërroi në vetëvrasje dhe vetëvrasjen e Ismet Sopës e shndërrojë në vrasje. Ky është problemi të nderuar deputetë....Edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe në krye të Prokurorisë së shtetit kemi njerëzit e njëjtë, pasi ata s’po dalin në zgjedhje në popull pasi ish marr vesh çka mendon populli për ta. Prandaj ka këtë ngecje. Edhe iniciativa për reformimin e sistemit të drejtësisë po përfundojnë në sistemin e drejtësisë i cili s’po dëshiron të reformohet”, tha Kurti.

Kurti para deputetëve foli edhe për situatën në veri dhe sulmin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ai tha se bandat kriminale e kanë humbur veriun, prandaj po bëjnë sulme të tilla terroriste.

“Kur ka qenë komandanti serb i policisë që marrke rrogën edhe Prishtinë dhe Beograd, pse me gju granatën e dorës. Ai po e gjuan granatën e dorës tash se s’është aty. Pikërisht pse e kanë humbur veriun po i bëjnë këto sulme terroriste”, tha ai.

Në anën tjetër, kreu qeveritar kritikoi deputetët opozitarë për mungesë interesimi për seancën e thirrur nga ta për katër vjet qeverisje.

Sipas tij, liderët opozitarë i preferojnë studiot televizive të oligarkëve, unë shtëpinë e popullit e të Kuvendit.

“Sonte kur po raporton kryeministri, jo me vullnetin e tij por me obligimin e opozitës janë vetëm shtatë deputetë. A dini çfarë asnjëri prej tre kryetarëve të partive politike s’ka qenë sot. Jo vetëm sot por edhe kur e kemi diskutu buxhetin s’ka qenë asnjëri prej tyre me 21 nëntor sivjet. Si vjet që mund të thuhet se tre kryetarët e partitive opozitare që dalin në fushatë dhe vitin e ardhshëm janë zgjedhjet dhe kur vjen puna qoftë për buxhetin, apo raportimin katërvjecarë në parlament s’është asnjëri këtu. Por ne kemi një dallim themelor me kolegët e mi të kryetarëve të partive politike. Ata më shumë i përfitojnë studiot televizive të oligarkëve. A unë shtëpinë e popullit të Kuvendit. Ky është dallimi”, theksoi Kurti.

Sipas tij, pritjet e opozitës ndaj qeverisë janë të larta, andaj për t’i përfunduar të gjitha projektet nevojitet edhe një mandat.
“Pritjet e opozitës kanë qenë më të mëdha se të mazhoranës. Ne dëshirojmë shumë më shumë, por bash shpejt siç po doni ju s’po mundemi me mbërri, prandaj na nevojitet edhe një mandat”, përfundoi Kurti./KSP
 

Tahiri e pyet për kontratat njëburimore, Kurti: S’ka shkelje të ligjit e as korrupsion

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 13:44
Albin Kurti - Besnik Tahiri

Një debat midis kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ndodhur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri, partia e të cilit e ka iniciuar debatin e sotëm, ka kërkuar nga Kurti që të tregojë nëse është në dijeni për kontrata njëburimore, si dhe cila është lidhja e tij me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me rezervat shtetërore.

Kurti i është kundërpërgjigjur, duke thënë se qeveria e tij nuk bën veprime joligjore. 

“Ne thjesht i kemi bërë përpilimin e tenderëve në përputhje me ligjin, kjo s’ka të bëjë me shkelje të ligjit as korrupsion. Unë e kam vështirë ta diskutojë, pasi në fillim më thatë që nuk më ka shkelur këmba në Departamentin e Shtetit. Ku e kam takuar Blinkenin? Debat ka vetëm kur ka fakte, jo kështu”, ka thënë Kurti. 

Gashi: Qeveria Kurti pati sukses vetëm në hartimin e doracakëve për edukim seksual

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 13:10 Nga: Majlinda Ibrahimi
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka përmendur disa nga “dështimet” e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Në seancën e sotme plenare, Gashi ka thënë se Kurti gjatë ekzekutivit të tij më shumë është dukur sikurse drejtor i ndonjë ndërmarrjeje, sesa kryeministër.

Sipas tij, i vetmi “sukses” i kësaj qeverisjeje është hartimi dhe miratimi i doracakëve për edukim seksual.

“Kurti e ka pasur fjalimin më të gjatë në historinë e Kosovës dhe asnjë moment nuk e pamë si kryeministër, më shumë si drejtor i ndërmarrje apo drejtor i çerdheve. Te ekonomia dhe inovacioni ka premtuar themelimin e bankës zhvillimore ka dështuar, ka premtuar rivitalizimin e Trepçës nuk është realizuar ke dështuar; qeveria premtoi përmirësimin e kushteve të punës, duke punësuar inspektorë, por nuk e realizoi dhe faktet tregojnë se Qeveria nuk ka arritur t’ua ofrojë kushtet bazike punëtorëve. Albini si kryeministër ka dështuar në rregullimin e rrugëve, arsimi dhe shëndetësia po ashtu dështim. I vetmi sukses që ka pasur ka qenë hartimi dhe miratimi i doracakëve për edukimin seksual. Ka premtuar ndërtimin e spitalin dhe ka dështuar. Deri më tani ky kryeministër mund të kualifikohet i paaftë, i dështuar. Ky kryeministër ka bërë edhe shkelje kushtetuese”, ka thënë Gashi.

Tahiri: Kurti po e lë Kosovën pa asnjë projekt të tij

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 12:58
Abelard Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministrin Albin Kurti, në seancën e së hënës nuk e kanë parë si kryeministër që po e lë më mirë Kosovën pas katër vjet qeverisjeje. 

Ai në debatin parlamentar për katër vjetët e Qeverisë, ka thënë se Kurti po e lë Kosovën pa asnjë projekt të tij. 

“Kurti po e lë Kosovën pa asnjë projekt të tij, të cilin po e fillon dhe po e përfundon”, ka theksuar Tahiri. 
Sipas Tahirit  në këto katër vjet më të dhimbshmet janë “migrimi i popullsisë për arsye ekonomike dhe prishja e marrëdhënieve me ndërkombëtaret”

Ai e ka kritikuar edhe fjalimin e deputetit të pushtetit Adnan Rrustemi, i cili lavdëroi punën e Qeverisë. 

“Kur e dëgjon Adanin tu fol thua a është në të njëjtën parti që i jep subvencione vëllait, a është në të njëjtën parti që e len FSK-në pa bukë … realisht fenomeni më i dhimbshëm është imigrimi që e ka prekur Kosovën në këto tri vjet. Këtu shtoja faktin si kur i merr të dhënat e organizatave del që edhe punëtorët e kanë lëshuar Kosovën … fatkeqësisht Kosova në këto katër vjet është zvogëluar në popullsinë e saj … nëse i shohim raportet e instituteve dhe organizatave ndërkombëtare arsyeja kryesore që e kanë lëshuar vendin janë ekonomike”, është shprehur Tahiri. 

Ai ka thënë se vendi po ashtu është sanksionuar nga ndërkombëtarët gjatë kësaj qeverisjeje. 

“Vendi jonë po ashtu është në sanksionuar gjatë kësaj qeverisje, pra prej qershorit të vitit 2023 BE-ja paguan vetëm paga për stafin e saj që punon në Republikën e Kosovës. Më e dhimbshme se kjo është raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tash e dy vjet kur kemi një stagnim të raporteve me SHBA-në ne kemi arritur një situatë që nuk jemi të anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare”, ka theksuar Tahiri.
 

Rrustemi: Për keqardhje që disa zëra opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë sulmin në Ibër-Lepenc

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 12:39
Adnan Rrustemi

Photo: Driton Paçarada

Në emër të partisë në pushtet në debatin parlamentar për katër vjetet e Qeverisë Kurti, ka folur deputeti Adnan Rrustemi. 

Ai ka folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut duke askuzuar siç ka thënë “zëra opozitarë”, “për minimizim të rastit dhe manipulim të publiku” lidhur me të. 

“Ne si shumicë parlamentare e dënojmë këtë akt terrorist. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë sulm ... Është për keqardhje që disa zërë opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë këtë akt dhe ta manipulojnë opinionin publikë duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh”, është shprehur Rrustemi.

Ai ka thënë se në këtë mandat qeverisës kanë treguar vendosmëri për të shtrirë sovranitetin në çdo cep të Kosovës 

“Në mandatin tonë kemi bërë zotimin që të mbrojmë sovranitetin, ne kemi arritur që këtë ta realizojmë… deri para tre vjetësh atje mund të shkoje vetëm me lejen e Raidoqiqit, madje edhe në vilën e tij, komunat paralele nuk ekzistojnë, targat janë konvertuar, e flamuri i Kosovës është vendosur në institucione komunale. Qeveria po ndërton stacione policore atje si asnjëherë më parë. E për shkak të kësaj jemi duke u përballur me sulme nga Serbia. Dikush mund të pyet pse më herët nuk ka pasur kësi sulme, pasi nuk ka pasur nevojë se Raidoqiqi ka pasur fuqi, i ka pasur strukturat ilegale”, ka deklaruar Rrustemi.

Kurti në Kuvend mburret me të arriturat e qeverisë së tij

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 11:50 Nga: Majlinda Ibrahimi
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Ablin Kurti ka thënë se është krenar për katër vjetët e qeverisës së tij. 

Në debatin e thirrur nga AAK-ja, Kurti ka thënë se ky katërvjeçar është i mbushur me plot të arritura. 

“Unë qëndroj para jush sot me krenari dhe vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë që ka qenë i mbushur me plot të arritura e më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar”, ka deklaruar Kurti. Ai ka thënë se ekonomia ka shënuar rritjen më të madhe dhe njëkohësisht më solide. 

“Në këto katër vjet kemi pasur mesatarisht rritje prej 6.36 për qind të bruto produktit vendor”, është shprehur Kurti, suke shtuar se asnjëri nga këto katër vjet nuk ka pasur rritje reale nën 4 për qind, pasi rritjes t’i hiqet inflacioni. 

Ai ka thënë se në këtë katërvjeçar e kanë ulur borxhin publik në vlerën prej 17 për qind. 

Sipas tij në këto katër vjet papunësia ka rënë nga 25.8 për qind në 10 për qind. Sfidë në këtë aspekt ka thënë se mbetet aktivizimi i grave në tregun e punës. 

“Kemi papunësi të zvogëluar sepse kemi punësim të shtuar”, është shprehur Kurti. 

Ai ka folur edhe për mbylljen e strukturave paralele në veri. “Janë mbyllur shërbimet ilegale në komunat veriore, i kemi eliminuar ndikimin e organizatave terroriste, por kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale atje … kemi shtruar rrugë edhe në komunat në veri, gjithnjë ma shume qytetarë serbë po bashkëpunojmë ne institucionet e Kosovës”, është shprehur Kurti. 

Ai ka thënë se e di që janë kritikuar që nuk ka njohje të reja, por ka theksuar se nuk e kanë premtuar këtë në fushatë. “Ne kemi premtuar punësim e drejtësi”, është shprehur ndër të tjera Kurti. 

Tahiri: Qeveria Kurti me rekord shkeljesh të Kushtetutës

4 muaj më parë / 2 dhj 2024 11:31 Nga: Majlinda Ibrahimi
Besnik Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka akuzuar qeverisjen katërvjeçare të Albin Kurtit për dështime dhe skandale. 

Sipas tij, qeveria aktuale ka shënuar rekorde për shkelje të Kushtetutës.

Në seancën plenare që po mbahet në Kuvend, ku Tahiri ka prezantuar projektrezolutën për katër vjet qeverisje, ai ka thënë se Kurti duhet të japë përgjigje për shumë cështje. 

“Ky kryeministër ka sjell një ekspoze, një pamflet me gjuhë të thatë, dhe tash po dëshmohet që kjo ka mbetur vetëm një listë dëshirash… në hyrje të debateve do të doja t’i theksoja dështime dhe skandale, e para kjo qeveri është rekorde për shkelje të Kushtetutës, skandali i dytë ndërlidhet me ndër problemet dhe korruptive të tenderëve një burimor, çështja e tretë lidhet me skandalin e ambasadorit Martin Berishaj për të cilën qeveria duhet të deklarohet nëse ka qenë në dijeni, çështja e katërt ndërlidhet me skandlin në KEK, ku Nagip Krasniqi ka një aktakuzë, e tutje ndërlidhet me blerjen e energjisë, e sot kryeministri duhet t’u tregojë qytetarëve sesi u fal borxhi i ujit, si ndodhi skandali në RTK, e duhet të tregojë sesi e humbi rastin me ‘Counter Global’. Kryeministri duhet të tregojë për çështjen e pagës minimale a është koordinuar me Raidoçiqin. Kryeministri duhet na tregojë pse i ka premtuar 160 çerdhe, ndërsa katër janë të funksionalizuar, të na tregojë pse nuk u bën sigurimin shëndetësore, ku janë banimet për çifte, ku është punësimi, ku është lufta ndaj korrupsionit”, ka thënë Tahiri. 


Kadrijaj-Kurtit: Jeni në rënie të lirë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për keqpërdorim të shtetit. 

Sipas saj, pavarësisht keqpërdorimeve të deritanishme, kjo qeveri tani është në rënie të lirë. 

“Pse nuk e zbardhe rastin e Astrit Deharit? I ke falur tokat e Manastirit të Deçanit. Asnjë rrugë s’ke qenë në gjendje ta shtrosh. Keni vjedhur aty ku nuk duhet, e keni goditur Ushtrinë e Kosovës. Sot ushtarët e Kosovës nuk kanë uniforma, hanë bukë e pashtetë. Keni vjedhur edhe për rezerva shtetërore. E ke shfrytëzuar buxhetin për t’i rehatuar hallat e tezet. E keni keqpërdorur shtetin, por jeni në rënie të lirë tani”, ka thënë Kadrijaj.