Nëse gjithçka shkon sipas planit vendet anëtare të BE-së deri në fund të këtij muaji do ta konfirmojnë danezin Peter Sorensen si emisar për dialogun Kosovë - Serbi dhe ai do ta nisë punën nga fillimi i shkurtit
Menjëherë pasi Miroslav Lajçak më 31 janar ta përfundojë mandatin e tij gati pesëvjeçar, BE-ja do të duhej ta ketë të gatshëm pasardhësin e tij.
Siç mëson KOHA nga burimet diplomatike evropiane Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka zgjedhur danezin Peter Sorensen të jetë përfaqësues i posaçëm (EUSR) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas procedurave të BE-së tash duhet që këtë ta konfirmojnë edhe vendet anëtare të BE-së në Këshill. Kjo do të jet në rend dite javën e ardshme, me gjasë të martën më 21 shkurt, në Komitetin për politike dhe siguri e më pas do të dërgohet në konfirmim në nivel ministror. Burimet e KOHËS në Bruksel thonë se e gjithë kjo pritet të jetë vetëm formalitet, pasi asnjë vend anëtar nuk ka asnjë kundështim për Sorensenin.
Nëse gjithçka shkon sipas planit vendet anëtare të BE-së deri në fund të këtij muaji do ta konfirmojnë Sorensenin si EUSR për dialog dhe ai do ta nisë punën nga fillimi i shkurtit.
Peter Sorensen është një diplomat me përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perendimor. Ka ushtruar disa detyra, qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e ka udhëhequr BE-ja e deri te roli i Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Ka qenë edhe shefi Zyrës së BE-së në Shkup si dhe i dërguar i posaçëm i Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi. Në këtë moment është këshilltar principal në Shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale. Zgjedhja e tij nga diplomatët shihet si shenjë se Kaja Kallas dëshiron të ketë në atë post një person që e njeh dosjen dhe se edhe ajo personalisht dëshiron të jetë e angazhuar në procesin e dialogut. Kur ishte emëruar Miroslav Lajçak para pesë vjetësh ishte thënë se, përveç përvojës së tij, rëndësi ka edhe fakti se ka qenë ministër i një vendi anëtar që është një nivel më i lartë edhe politik e jo vetëm diplomatik.