Diskutime rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik si dhe rëndësia e fillimit të diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit Implementues të Ohrit, janë trajtuar në takimin e së mërkurës midis emisarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen dhe zëvendës/kryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi
Emisari i posaçëm Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka takuar të mërkurën zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, në vizitë që politikani danez e ka quajtur si “normale” në kuadër të angazhimeve të tij.
Pas takimit të mbajtur në objektin e qeverisë dhe që ka zgjatur më shumë se një orë, Sorensen nuk ka pranuar që komentojë lidhur me të ardhmen e procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Sot jam në Prishtinë si pjesë e ushtrimit të mandatit. Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë, dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd, dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani”, ka theksuar Sorensen.
E në komunikatën e lëshuar nga qeveria është bërë e ditur se Bislimi dhe Sorenseni kanë diskutuar për rrugën përpara drejt zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur deri më tash.
“Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Ky ishte takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar. Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sørensen për takimin e bisedën si dhe bashkëpunimin mes tyre”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Para Bislimit, emisari Sorensen ka mbajtur takim edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Enrico Barduani. Në një postim në Facebook, në misionin e NATO-s në Kosovë kanë thënë se Sorensen e Barduani kanë shkëmbyer mendime lidhur me zhvillimet e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Komandanti nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Kjo ka qenë vizita e dytë e Sorensenit në Kosovë prejse ai e ka marrë detyrën në fillim të muajit shkurtit dhe është ndërmarrë në kohën kur Kosova ndodhet në ngërç institucional, pasi që nuk është duke arritur që ta konstituojë legjislaturën e re të Kuvendin dhe më pas edhe ta formojë Qeverinë, prej më shumë se dy muajsh që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Dallimet për mënyrën se si e shohin palët rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, i janë përsëritur emisarit të ri të BE-së për dialogun Sorensen edhe në vizitën e tij të parë në Prishtinë dhe në Beograd. Nga paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, Sorenseni ka trashëguar edhe një draft statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku Kosovës i është kërkuar formalizimi i tij.
Për mundësinë e kompromiseve eventuale, emisari i ri i dialogut ka theksuar se kjo u takon palëve në bisedime.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ia kanë kërkuar Sorensenit heqjen e masave kundër Kosovës dhe që marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të zbatohen në tërësi dhe në mënyrë të balancuar.
Për Asociacionin, Osmani pati thënë se drafti i propozuar bie ndesh me kushtetutën dhe me ligjet e vendit.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e parë me Sorensenin e ka vendosur parakusht themelimin e Asociacionit për normalizimin e marrëdhënieve. Ai i është ankuar diplomatit evropian edhe për trajtimin, që sipas Vuçiqit, po ua bën Prishtina serbëve në Kosovë.
Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Shefja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë në fillim të këtij muaji se BE-ja është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Kallas është pyetur për ngecjen e dialogut, me ç’rast ka thënë se ajo çfarë është duke u bërë këtë muaj është analizimi i procesit.