Arbëri

Krasniqi: LDK-ja e re është kopje e keqe e VV-së, rrezikon të përfundojë në humnerë

krasniqi

Besnik Krasniqi, redaktor në Grupin KOHA, e ka quajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës kopje të keqe të Vetëvendosjes pas qëndrimit të saj refuzues për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mundësinë e krijimit të qeverisë. E LDK-ja ka thënë se nuk hyn në koalicion as me partitë opozitare.

Krasniqi është shprehur se LDK-ja është njohur si parti jobllokuese në të kaluarën, dhe se tash po del jashtë asaj çfarë ka qenë.

“LDK e njohim si parti institucionaliste, jobllokuese. Nëse e marrim si mesazh të një lideri të LDK-së, i bie që nuk ka kurrfarë themeli si mesazh. Por cka po shohim është që kjo LDK-ja e re është kopje e keqe e VV-së de ky ëstë gabimi më strategjik që sot lidershipi i LDK-së po e bën. Sepse po shkojnë pas strategjisë, diskursit të VV-së, edhe në veprime si bllokuese kur thotë nuk bëhet as me ju por as me opozitën nuk bëhet qeveria. Ky është pozicion bllokues dhe kjo nuk ka qenë në natyrën e LDK-së së përparshme”, ka thënë ai në “Konfront”.

Krasniqi ka theksuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po e çon partinë e tij drejt shkatërrimit. Sipas tij, LDK-ja e ka humbur elektoratin me gënjeshtrat dhe përçarjet e brendshme.  

“Abdixhiku me veprimet e tij është duke ia bë varrin LDK-së. LDK-ja shkon drejt humnerës nëse kemi përpara secilën prej dy opsioneve, një nëse kemi qeveri të opozitës e cila do jetë jetëgjatë vetëm deri në dimër meqë atëherë vjen në pyetje zgjedhja e presidentit, dhe e dyta nëse LDK-ja mbetet në opozitë. E para, njerëzit kanë besuar se rënia e LDK-së para 4 vjetësh ka qenë aksidentale, që do të korrektohet në zgjedhjet e ardhshme. Shkuan 4 vjet, pamë ndërrimin e lidershipit të LDK-së dhe ngritje shumë të lehtë. E dyta, spektakli në fushatë. Njerëzit kanë besuar se LDK-ja është masivizuar dhe kur e kanë pa atë imazh në takimet e LDK-së, me elektorat, është krijuar njëfarë entuziazmi që LDK është rritë dhe hajde të votojmë. Çka ndodhi ishte se ai imazh ishte fals. E treta, njerëzit e LDK-së përmes skandalit që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve, vjedhjes së brendshme të votës është krijuar pakënaqësi brenda strukturës dhe kjo përçarje, dallime, kanë efekt te elektorati”.


Alija për refuzimin e ftesës nga LDK: Interesi shtetëror duhet të vihet para atij partiak

Analisti politik, Artan Alija, derisa ka folur për refuzimin e ftesës së kryeministrit Albin Kurti për diskutim lidhur me konstituimin e Kuvendit, nga ana e LDK-së, ka thënë se kjo parti duhet ta vë interesin shtetëror para atij partiak. 

Ai ka thënë se deklarimi i LDK-së se do të qëndrojë në opozitë pasi është në interesin e saj partiak, ka qenë problematike dhe befasuese.

Kjo, sipas tij, për shkakun se kjo parti është treguar shumë më shumë institucionaliste. 

“Lidhur me reagimin e LDK-së ndaj ftesës së kryeministrit Kurti, besoj që qysh me përfundimin e zgjedhjeve e kemi parë një komunikim jo të denjë nga LDK-ja, në raste të caktuara edhe joprofesionale. Në momentin kur flasim për të ardhmen e vendit, të vihet përpara interesi partiak para atij shtetëror ndoshta nuk është qasja më e mirë për një parti politike, sidomos për LDK-në që ka gjithë atë bagazh, qoftë nga e kaluara, qoftë nga e sotmja. Në një deklaratë të mëhershme kanë thënë që ata do të qëndrojnë në opozitë pasi që është interes i tyre partiak. Për mua kjo ka qenë shumë problematike dhe befasuese ta shoh një reagim të tillë nga një parti si LDK-ja, pasi kam pritur që do të jetë shumë më shumë institucionaliste siç ka pretenduar dhe ta shohin interesin e Kosovës së pari, pastaj interesin partiak”, ka thënë ai. 


Drenori: LDK-ja në krizë, Kurti shkaktoi goditje të dyfishtë me ftesën

Analisti politik Xhavit Drenori ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka krizë të brendshme partiake. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ai ka shtuar se me ftesën për takim për të diskutuar lidhur me konstituimin e Kuvendit, kryeministri në largim Albin Kurti ka shkaktuar goditje të dyfishtë për këtë subjekt. 

Sipas tij, përgjigja e kreut të këtij subjekti, Lumir Abdixhiku ka qenë e duhur pasi çfarëdo veprimi tjetër do të ishte në dëm të tij. 

“Nuk besoj se është argumenti kryesor që z.Abdixhiku me gjithë ato figura stilistike e kishte formualuar përgjigjen, që janë të vërteta. Nuk janë të vërteta sepse në të kaluarën ka pasur gjuhë edhe më të ashpër, fyerje edhe më të rënda që publiku i mban mend dhe janë tejkaluar. Mendoj se argumenti kryesor është që LDK-ja ka krizë të brendshme, madje krizën e ka edhe përbrenda grupit parlamentar. Besoj se për LDK-në z.Abdixhiku e ka marrë vendimin më të duhur të mundshëm edhe pse vetë kërkesa e z.Kurti ka qenë një goditje ndaj tyre. Çfarëdo veprimi tjetër që do të bënte, do të shkonte në një dëmtim të lidershipit të ri të LDK-së, të vetë z.Abdixhiku”, ka thënë ai.


Sopi për realitetin politik: Një idiot s'mund të merret vesh me një grup të çmendurish

Analisti Agim Sopi ka thënë se klasa politike në Kosovë është krijuar si grup interesash, që paraprakisht e kanë iniciuar të huajt. 

“Është vështirë që të ketë bashkëbisedim idesh. Ky hendek mes nesh, pavarësisht qëllimeve revolucionare që botën ta ndryshojmë për mirë, shpeshherë rezulton në mosmarrëveshje të thella sepse ne nuk mund të merret vesh një idiot me një grumbull të çmendurish. Ky është realiteti kosovar sepse për fat të keq klasa politike në Kosovë është krijuar si grupe interesash që e kanë iniciuar paraprakisht të huajt, UNMIK-u”, ka thënë ai në “Konfront”. 

Sipas Sopit, Kosova nuk ka ditur ta shfrytëzojë realitetin e ri të krijuar pas luftës dhe arritjes së paqes. 

“Ne kemi ardhur me dy lëvizje në momentin ku kemi ardhur, me lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës dhe me lëvizjen e UÇK-së të luftës. Realitetin e ri të krijuar nuk kemi ditur ta bëjmë bashkë. Na kanë mbledhë disa përfaqësues të Kosovës që iu kemi dashur dhe ata kanë qenë njerëz goxha të zgjedhur që i kanë përdorur fuqitë për interesa të veta, para se gjithash fuqitë e rajonit, para se gjithash Serbia”.