Grupimi i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, përmes shefes së grupit të tyre, ia kanë uruar kryeministrit Albin Kurti fitoren në zgjedhjet e së dielës në Kosovë duke e quajtur “fitore të madhe“.
Në një postim në rrjetet sociale shefja e këtij grupi, të dytë më të madh në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Perez, është shprehur se mbështesin fuqishëm qëndrimet kundër korrupsionit.
“Urime Albin Kurtit dhe partisë Vetëvendosje në Kosovë për sigurimin e një fitoreje tjetër të madhe në zgjedhjet e së dielës. Ne plotësisht mbështesim përkushtimin tuaj për të qeverisur me një agjendë të fortë sociale dhe qëndrim të vendosur kundër korrupsionit“, ka thënë shefja e grupit të Socjalistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian. Vetëvendosje është e lidhur me këtë familje të qendrës së majtë evropiane”.
Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se Kurtin e ka uruar edhe Pedro Sanchez, president i Internacionales Socialiste, njëkohësisht kryeministër i Spanjës.
“Në emër të Internacionales Socialiste, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta juve dhe Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren tuaj të fundit zgjedhore. Ky rezultat është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes që populli i Kosovës ka në udhëheqjen dhe vizionin tuaj për të ardhmen. Ndërsa vijoni punën tuaj për forcimin e demokracisë, drejtësisë sociale dhe progresit ekonomik, ju uroj çdo sukses dhe shpresoj që së shpejti të mund të formoni zyrtarisht qeverinë tuaj. Internacionalja Socialiste mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës në këtë rrugëtim dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e VV-së.