As pas një ore prej kur ishte paraparë të niste, seanca e Kuvendit të Kosovës nuk ka filluar punimet për shkak të mungesës së deputetëve.

Në sallë janë vetëm nga një deputet i PDK-së dhe i LDK-së. Ndërsa, ata të AAK-së kanë dalë nga salla. 

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë thirrje që të mos caktohen mbledhje të komisioneve në ditët kur caktohen seanca.

“Tri Komisione aktualisht janë duke mbajtur mbledhje për trajtim të disa projektligjeve. E lus kryesisht mazhorancën të mos caktojë mbledhje të komisioneve kur ka seanca, sepse keni qenë të njoftuar për këtë mbledhje plenare qysh nga mbledhja e kryesisë”, ka thënë Konjufca.

Sot parashihen të mbahen dy seanca të Kuvendit të Kosovës. Njëra do të jetë vazhdim i seancës plenare, e tjetra seancë e re plenare. E para pritej të niste në orën 10:00, me shqyrtimin e mbi 20 pikave që kanë mbetur pa u përfunduar nga seancat e mbajtura më 31 tetor dhe 4 nëntor.

Seanca e dytë do të nisë në orën 14:00, dhe në rend dite ka 28 pika.

Miratohet Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

4 muaj më parë / 5 dhj 2024 17:19
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Me 62 vota për, deputetët e Kuvendit votuan projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në sallën e Kuvendit s’ka prezentë deputetë të partive opozitare.

Tutje ka kaluar edhe projektligji për banim social dhe të përballueshëm dhe ai për sigurime shëndetësore.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, mundësohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime për prejardhjen e saj.

Përveç zyrtarëve, ligji lejon hetimin edhe të familjarëve të këtyre zyrtarëve dhe personave të tjerë që mund të konsiderohen si “palë e tretë”.

Kalimin e këtij projektligji, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka quajtur lajm fantastik dhe ditë të madhe për demokracinë e sundimin e ligjit.

Ai ka shkruar në Facebook se ky është vullnet i Ministrisë së Drejtësisë për të goditur krimin dhe korrupsionin institucional e historik.

Në Kuvend ligji kaloi më 9 shkurt 2023. Pas kësaj, u sfidua në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike. E, u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.

Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë miratohet në parim

4 muaj më parë / 5 dhj 2024 13:58
seanca

Photo: Driton Paçarada

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u miratua në parim, të enjten në Kuvend.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, mundësohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime për prejardhjen e saj. Përveç zyrtarëve, ligji lejon hetimin edhe të familjarëve të këtyre zyrtarëve dhe personave të tjerë që mund të konsiderohen si “palë e tretë”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka prezantuar projektligjin para deputetëve. Ka thënë se Qeveria nuk ka hartuar projektligj të ri, por se i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese. 

“Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e ligjit pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm, por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit mbikëqyrës në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve. Sa i përket çështjes së retroaktivitetit si një nga çështjet kryesore të kësaj nisme Gjykata Kushtetuese nuk e ka refuzuar parimisht retroaktivitetin por ka theksuar se ai duhet të zbatohet me kujdes duke respektuar parimin e proporcionalitetit në ketë drejtim në linjë me konstatime te gjykatës në projektligj është përfshirë koncepti i pamundësisë objektive të normuara përmes nenit 35 të këtij projektligji”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se çështja tjetër ndërlidhet me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar. Ka theksuar se është adresuar periudha e verifikimit që do të lidhet ekskluzivisht me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, e përjashtimisht që verifikimi mund të zgjasë deri në pesë vjet pas përfundimit të detyrës publike nëse ka prova te dukshme që pasuria është më e madhe sesa të ardhurat e ligjshme. 

“Këto ndryshime janë adresuar përmes neve 2,9,10 dhe 23. Ndërsa inicimi i procedurës së verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme mund të bëhet gjatë kohës që personi zyrtar është ende ne funksion ose më së voni deri në 10 vite pas përfundimit të funksionit publik. Sa i përket komisionit mbikëqyrës dhe adresimit në përputhje me konstatimet e gjykatës në versionin e ri komisioni do të përbëhet nga tre anëtarë të emëruar nga Kuvendi i Kosovës dhe në këtë drejtim drejtori i agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin i njësitit të inteligjencës financiare. Për këtë qëllim është ndryshuar neni 10 që rregullon përbërjen e komisionit dhe është shtuar një nen i ri pra neni 11 që rregullon mënyrën e përzgjedhjes së tre anëtarëve të Komisionit”, ka thënë ministrja.

Në Kuvend ligji kaloi më 9 shkurt 2023. Pas kësaj, u sfidua në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike. E, u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.

U miratuan në parim edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Miratohet në parim Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

4 muaj më parë / 5 dhj 2024 13:23
kuvend

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, bashkë me amandamente. 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore. 

“Ky proces tashmë është i pakthyeshëm. Me këtë listë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Për herë të parë po përcaktohen rregulla për listën për barnat e rimbursueshme. Me këtë projektligj rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve. Ky është një moment vendimtar për vendin tonë për marrëdhënien qytetar-shtet. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat më domethënëse për qeverinë tonë. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje në shërbimet bazë shëndetësore duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale. Me këtë ligj shtohet edhe një burim i qëndrueshëm i rritjes së buxhetit të shëndetësisë publike. Në vend të kostove të papërballueshme për trajtime shëndetësore, sigurimi i detyrueshëm do të ndihmojë krijimin e në një mbrojtjeje financiare për qytetarët dhe do të reduktojë rrezikun e rënies nën pragun e varfërisë për shkak të shpenzimeve shëndetësore”, ka thënë ai.

Deputeti i VV-së, Burim Meta, ka kërkuar që në ligj të përfshihet sigurimi edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftë. 

“Projektligji ka përjashtuar viktimat e dhunës seksuale gjate luftës që të lirohen nga pagesa e sigurimit shëndetësor si disa kategori të tjera. Ministër përfshijeni këtë çështje këtu përndryshe do të keni vështirësi ta merrni votën tonë”.

E, Vitia ka thënë se kjo gjë tashmë është adresuar dhe se Qeveria e ka përgatitur amendamentin. Ai ka theksuar se kjo kategori do të mbulohet nga shteti. 

“Besoj që në Komision midis leximeve do të votohet ky amandament”.
 

Miratohet Projektligji për ndalimin e pijeve energjike për nën 18 vjeçët

4 muaj më parë / 5 dhj 2024 12:45 Nga: Marigona Brahimi
seanca

Photo: Driton Paçarada

Me 62 vota për është miratuar Projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën 18 vjeç.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se me projektligj parashihen kontrolle të rrepta që të ndalohet konsumimi i pijeve energjike nga të miturit. 

“Projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë vjeç, ka për qëllim të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe grupeve të ndjeshme. Përfshin ndalimin e konsumimit të pijeve nga të miturit dhe përfshin kontrolle të rrepta. Ky projektligj nuk bie ndesh me ndonjë akt të Bashkimit Evropian. Për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime të ndryshme publike. Komisioni për Mjedis e ka shqyrtuar këtë projektligj dhe propozojmë që ky projektligj të votohet parimisht”, ka thënë ajo.

Po ashtu, u zgjodhën drejtorët e Bordit në KOSTT - Rejhane Zylfijaja, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka – kurse kryesues është zgjedhur Gëzim Tosuni. 

E, Shkurta Bajgora është emëruar anëtare në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve. 

Deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm. 

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ligji parasheh disa programe të banimit. 

“Është instrument thelbësor për të ndihmuar individët e familjet me gjendje ekonomike të vështirë. Projektligji do të mbulojë të gjithë territorin e Republikës e Kosovës dhe do të sigurojë mbështetje te barabartë. Ligji parashikon disa programe të banimit. Banimi social që ofron mundësi qiraje për ata që nuk mund të paguajnë çmimin e tregut. Zhvillimin e lagjeve adekuate që ofrojnë kushte, rindërtimin dhe rinovimin për ata që jetojnë nën normat minimale të banimit. Dhe banimi i përballueshëm që ofron banim të përballueshëm për çiftet e reja dhe individët me të ardhura të ulëta. Pas thirrjeve që i kemi bërë për komunat dhe kemi identifikuar lokacionet në 13 komuna dhe për komunat që nuk kanë aplikuar thirrje do tu bëhet në mes të shkurtit”, ka thënë Aliu.

Deputetja Pacolli ka kërkuar që të shmangen afatet e përcaktuara për shqyrtim të këtij projektligji dhe që komisioni funksional më së largu deri në orën 16:30 t’ia përcjell Kuvendit raportin me amandamente.

Kuvendi nuk miraton propozimin për shkarkimin e 3 anëtarëve të Bordit të RTK-së

4 muaj më parë / 5 dhj 2024 12:22 Nga: Marigona Brahimi
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar propozimin për shkarkimin e anëtarëve  të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. 

Deputetët e partisë në pushtet kanë votuar kundër shkarkimit të Biroll Urgjan, Dardan Beqiri dhe Radojica Mërgjinac. 

Për shkarkimin e Urgjanit kanë votuar vetëm katër deputetë, kundër kanë votuar 56 dhe 2 kanë abstenuar. 

Për shkarkimin e Beqirit kanë votuar 3 deputetë, 54 kanë votuar kundër dhe 2 kanë abstenuar. 

Ndërsa për shkarkimin e Mërgjinac kanë votuar 5 deputetë, 42 kanë votuar kundër dhe 15 kanë abstenuar.

Aktualisht deputetët, janë duke votuar për zgjedhjen e tre drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.