Arbëri

S’mundi ta heqë nga Drejtoria e Inspeksionit, Rama pret listën e LDK-së që Dushi të largohet vetë

Takimet nuk i kanë të shpeshta.

Edhe kur duhet të kenë një të tillë, kryetari Përparim Rama shkon në zyrën e shefit të Drejtorisë së Inspeksionit Florian Dushi, gjë që, sipas burimeve brenda komunës, nuk e bën me drejtorët e tjerë.

Të mërkurën e kësaj jave të dy kishin dalë në terren për ta përcjellë nga afër aksionin e Inspeksionit për ndëshkimin e taksive pa leje pune.

Raportet mes kryetarit, zakonisht të hareshëm në publik, dhe kryeinspektorit të komunës ishin tejet formale.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur që kryetari Rama, ka tentuar që ta shkarkojë drejtorin Dushi së paku tri herë deri tash.

Por Dushi nuk e ka përfillur.

Sipas burimeve brenda komunës, Dushi ka përkrahje të fuqishme nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe nga asamblistët e LDK-së.

I pyetur për këtë gjë, kryetari Rama ka thënë se nuk është e vërtetë që ka dashur ta shkarkojë, por vetëm t’ia ndërrojë pozitën.

“Floriani është duke e kryer një punë të mrekullueshme në kryeqytet tash e tre vjet  edhe po vazhdon ta kryejë. Ndërsa sa u përket vendimeve të ndryshme se ku pozicionohet njëri apo tjetri, kjo është gjithmonë në të mirë të kryeqytetit”.

Meqë nuk ia ka dalë që ta largojë nga pozita e kryeinspektorit deri më tani, Rama do të presë edhe për rreth dy muaj që Dushi të largohet vetë për t’iu bashkuar listës së kandidatëve të LDK-së për deputetë në zgjedhjet e shkurtit.

“Jo një herë nuk do t’i ndërrohet vendi. Tash i kemi edhe zgjedhjet në nivel qendror dhe organizimet dhe do t’i akomodojmë”, tha Rama. 

Drejtori Dushi nuk ka pranuar që të deklarojë në lidhje me shkarkimin e tij të mundshëm as raportet me kryetarin Rama.

Ai ka thënë vetëm se punën është duke e vazhduar në kryeqytet si çdo herë.

“Unë nuk kam asnjë koment për këtë gjë që po pyesni. Siç po e shihni ne jemi në krye të detyrës dhe po vazhdojmë t’i kryejmë përgjegjësitë e tona”.

Marrëdhëniet mes Ramës dhe LDK-së janë ftohur tash e disa kohë, ndërkohë që asamblistët e kësaj partie që e solli Ramën në pushtet, shpesh nuk janë të pranishëm në seancat e Kuvendit Komunal. Një gjë e tillë ndodhi edhe të premten, kur seanca e thirrur me rend dite “Plani zhvillimor komunal dhe buxheti për 2025”, nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit.