Arbëri

S’mbahet premtimi për zgjidhjen e problemit me rrymën në Ferizaj

Funksionalizimi i Nënstacionit Kastrioti në Ferizaj, nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli u premtua se do bëhet me 15 janar dhe do t’i zgjidhë problemet me furnizim me energji. Premtimi nuk u përmbush nën arsyetimin e temperaturave të ulëta. E qytetarët në Ferizaj vazhdojnë të përballen me problemet me rrymë

Nuk është përmbushur premtimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se më së largu deri më 15 janar do të funksionalizohet nënstacioni i energjisë elektrike në Ferizaj.

Nënstacioni Kastrioti është në përgjegjësi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe ishte paralajmëruar se do të përmirësonte gjendjen me furnizim me energji për rajonin e Ferizajt, i cili, sipas kompanive përgjegjëse, po shkaktohet nga mbingarkesa në rrjet.

Ministrja Rizvanolli nuk është përgjigjur në pyetjen e KOHËS se pse nuk e ka përmbushur premtimin.

E KOSTT-i ka njoftuar që Nënstacioni nuk mund të lëshohet në funksion ende, për shkak të temperaturave të ulëta.

“Përkundër përpjekjeve maksimale të ekipeve të specializuara të mirëmbajtjes së KOSTT-it dhe Operatorit Ekonomik përgjegjës për të përfunduar punimet para datës 14.01.2025, temperaturat e ulëta nën zero që po mbizotërojnë këto ditë e kanë bërë tejet të vështirë vazhdimin e punimeve të mbetura në linjë, respektivisht tek shtylla Nr. 12. Me kërkesë të kompanisë zvicerane të specializuar për punime në linjë, janë shtyrë punimet për disa ditë”, thuhet në një njoftim të KOSTT-it.

E, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulëzim Aliu, tha se edhe këto ditë qytetarët po përballen me ndërprerje të energjisë.

“Sot Ferizaj është pa energji elektrike. Sa erdha nga qendra e qytetit, e tërë qendra zhurmon sot nga agregatet, sepse nuk ka rrymë. Edhe dje, pardje dhe ditëve më herët, pjesë të tëra të qytetit pa paralajmërime kanë reduktime”, ka thënë Aliu.

Ai tregoi se ndërtimi i nënstacionit ka filluar në vitin 2018 dhe se komuna vazhdimisht ka ndihmuar që projekti të përfundojë sa më shpejt, por theksoi se pengesat janë shkaktuar nga niveli qendror.

“Kanë premtuar që me 15 janar do të lëshohet, lëre që nuk është lëshuar por sipas informatave që i kam, nuk ka mundësi që në muajin janar të lëshohet dhe ai nënstacion nuk do lëshohet as në pjesën e parë të shkurtit”, ka thënë Aliu.

Në një përgjigje që Kompania e Distribucionit KEDS ia dha KOHËS, thuhet se ndërtimi i nënstacionit do të eliminonte të gjitha pengesat për furnizim të vazhdueshëm dhe të rregullt me energji elektrike.