Duhet trokitur në derën e madhe prej druri për të hyrë në shtëpinë mikpritëse të familjes Qaushi nga Gjakova. I pari i shtëpisë, Skënderi rrëfen rrugën deri te bahçja e tij unike, raporton KOHA. Të veçantë nuk e bëjnë të mbjellat aty, por forma në të cilën i ka mbjellë.
Rrethi i ndarë në vija është forma e përzgjedhur për sivjet. Dela, ashtu siç e quajnë miq e familjarë, thotë se 30 vjet bagazh si skenograf i kanë ndihmuar që njohuritë e tij t’i aplikojë më lehtë në kopshtin e tij.
Sipas 80-vjeçarit, bahçja e tij, çdo vit merr pamje tjetër. Megjithatë, ai thotë se bukuria e saj zgjat vetëm kur dikush kujdeset për të. E ai sigurohet që një pjesë të mirë të ditës t’ua kushtojë perimeve e pemëve të mbjella aty. Ai i cili sigurohet që Skënderi një pjesë të ditës edhe të pushojë është djali i tij, Florent Qaushi.
Për të atin, afër bahçes ka improvizuar një dhomë pushimi.
Si “konkurrenten” më të madhe, Skënderi e sheh bashkëshorten, Lirijen, e cila tarracën e shtëpisë e ka kthyer në një kopsht me lule. Ajo thotë se këta metra katrorë janë të preferuarit e saj, ndërsa miqtë që ulen aty i bënë të ndihen rehat, si në shtëpi.
Skënderi e Lirija thonë se kohën më të madhe gjatë pandemisë e kanë kaluar duke mbjellë lule, pemë e perime e do të vazhdojnë kështu, meqenëse kjo është ajo që i bën të ndihen më të relaksuar.