Pavarësisht ndryshimeve që janë bërë në Ligjin për skema sociale, qytetarët nuk mund të përfitojnë nga pensioni parcial nëse bashkimi i periudhës së kontributeve dhe kohës së largimit nga puna deri më 1 janar 1999 nuk rezulton me së paku 15 vjet stazh. Qeveria nuk ka sqaruar se kur do të mund të fillojë aplikimi dhe çfarë ndodh me ata që nuk përmbushin kushtin për këta vjet.
Ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, që u votuan të enjten në Kuvend, nuk i kanë dhënë fund diskriminimit disavjeçar të pensionistëve që kanë paguar kontribute.
Ata nuk mund të përfitojnë nga pensioni parcial nëse bashkimi i periudhës së kontributeve dhe kohës së largimit nga puna deri më 1 janar 1999, nuk rezulton me së paku 15 vjet stazh.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Njazi Gashi, ka thënë se ndryshimet e bëra nuk evituan padrejtësinë ndaj një numri të madh të pensionistëve.
“Një numër i të punësuarve në atë kohë, në mënyrë të paligjshme janë larguar nga puna dhe ata kanë qenë njëherë të penalizuar, e tani po penalizohen për herë të dytë, sepse po ju mungojnë disa vjet dhe ky është kompensim parcial dhe jo gjithëpërfshirës”, i ka thënë KOHËS Gashi. “Në Ligjin për skemat pensionale, pra në ligjin pararendës, ka pasur lëshime të mëdha për të cilat ne kemi pasur vërejtje dhe kemi bërë kërkesë që të jemi pjesë e Komisionit për hartimin e këtij draft-ligji, por ne nuk jemi konsultuar”.
Edhe Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së, i cili pati iniciuar vitin e shkuar ndryshime në ligj, ka thënë se ndryshimet e bëra nga Qeveria e të miratuara në Kuvend, nuk janë të duhurat.
“Me këtë ligj, Kosova është vendi i vetëm në botë, i cili nuk i njeh avancimet profesionale dhe shkencore që i ka lëshuar vetë shteti ynë gjatë viteve 1989-1999. Këto nuk njihen për pensionim, ndërsa njihen për punësim”, ka thënë ai. “O zot vetëdijësoi kosovarët kundër kësaj mendësie totalitare, antiperëndimore dhe antiqytetare kosovare”.
Ky deputet i AAK-së ka theksuar se subjekti politik kryesor në pushtet ka shpërfillur edhe një numër amendamentesh, të sponsorizuar nga partia që i përket.
“Neve dje kemi propozuar që paragrafi 2.2 i nenit 8/A për pensionin parcial kontributdhënës të largohet. Arsyeja është se shumica e të dëbuarve nga puna nuk kanë dëshmi lidhur me largimin nga puna, pra janë larguar pa vendime. Këta nuk mund të sjellin dëshmi se janë larguar dhunshëm”, ka thënë deputeti Dreshaj në një konferencë për media. “Kemi propozuar amendamentin e dytë për t’u ndërruar paragrafi 2.4 i nënti 8A, pra të aplikohet parimi i proporcionalitetit sipas viteve kontributpaguese deri në vitin 2002”.
Në Ministrinë e Financave nuk kanë sqaruar se çfarë ndodh në rastet kur pensionisti që gëzon mundësinë e pensionit parcial ka vdekur dhe se a ka të drejtë që atë ta gëzojnë bashkëshorti a bashkëshortja.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve thotë se ende ka paqartësi se si do të zbatohen ndryshimet ligjore dhe se kur do të fillojë aplikimi.
“Në të vërtetë ne nuk kemi informacion lidhur me ligjin për skemat pensionale, për arsye se Ministria e Punës dhe Financave nuk na ka ftuar dhe nuk na ka pranuar, përkundër kërkesës sonë që të jemi pjesë e draftligjit, nuk na ka dërguar kopje për ta analizuar dhe dhënë vërejtjet tona, andaj informacioni ynë është i mangët në këtë aspekt”, ka thënë Gashi.
KOHA ka kërkuar nga Ministria e Financave sqarime se kur do të mund të fillojë aplikimi për pensione dhe se a mund të përfitojnë familjarët e pensionistëve kontributpagues nga ky pension, por nuk ka marrë përgjigje.
Krijimi i skemës së re pensionale është bërë pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale, dhe konstatoi së ky nen iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontributpagues.
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, janë rreth 70 mijë persona që do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës.
Kjo skemë llogaritet t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro. E në buxhetin e këtij viti për të janë të ndara rreth 23 milionë euro.