Arbëri

Skandali me publikimin e listës së pagave: Sekuestrohet serveri i ASHKI-së

Pagat

Përmasa edhe më të thella ka marrë të enjten rrjedha e të dhënave personale në Shqipëri, pasi që një tjetër listë e tillë ka dalë në publik. Fjala është për listën e pagave të qytetarëve për muajin prill të vitit 2021, e cila ngjashëm sikurse në rastin e mëhershëm ishte eksportuar në programin “Excel” dhe kanë shpërfaqur dokumentet identifikuese, emrat e mbiemrat, pagat, pozitat dhe vendet e punës

Prokuroria në Tiranë ka sekuestruar të enjten serverin e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit pas shpërthimit të skandalit me publikimin e listave të taksapaguesve në Shqipëri, në të cilat përfshiheshin pagat dhe të dhëna personale të 637.138 punonjësve të sektorit shtetëror dhe atij privat.

Skandali ka marrë përmasa edhe më të thella të enjten, pasi që një tjetër listë ka dalë në publik. Fjala është për listën e pagave të qytetarëve për muajin prill të vitit 2021, e cila ngjashëm sikurse në rastin e mëhershëm ishte eksportuar në programin “Excel” dhe kanë shpërfaqur dokumentet identifikuese, emrat e mbiemrat, pagat, pozitat dhe vendet e punës.

Lista e re ngërthen mbi 694 mijë punonjës, rreth 60 mijë më shumë se lista e parë dhe në ndryshim me të parën ka edhe numrat e telefonit të punonjësit.

Prokuroria në Tiranë për këtë arsye ka vendosur për sekuestrimin edhe të serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si dhe atë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Masa është ndërmarrë për të mos pasur ndërhyrje në server. E gjitha është pjesë e hetimeve të ndërmarra nga prokuroria e rrethit gjyqësor në Tiranë lidhur me veprat penale të shpërdorimit të detyrës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se të dhënat kanë rrjedhur nga individë të brendshëm dhe nuk bëhet fjalë për sulm kibernetik. Ai e dënoi veprimin, i cili, sipas tij, ka për qëllim që të krijojë konfuzion dhe destabilitet.

“Dua ta ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar dhe krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para”, ka theksuar Rama. Ai ndërkaq ka mbrojtur drejtoreshën e AKSHI-së, Mirlinda Karçanaj, e cila është vënë në shënjestër të kërkesave për dorëheqje.

Ndërkaq kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se prapa nxjerrjes së pagave të shqiptarëve fshihen “patronazhistët”.

“Edi Rama filloi me patronazhistët, sistemin që ai ndërtoi në funksion të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Ju e dini se denoncimet tona atëherë përfshinë dhe vjedhjen e të dhënave personale. Të dhënat më sensitive të qytetarëve, marrë nga Drejtoria e Tatimeve, apo përmes të dhënave të tjera të dispozicion nga Qeveria, i ishin vënë në dispozicion shtabit të partisë. Këtë gjë e di fare mirë Edi Rama. Kur thotë se janë marrë si copa-copa, konfirmon denoncimin tonë”, ka theksuar Basha.

Ndërkaq grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e rastit ka bërë të ditur se tashmë ka një pistë shumë të besueshme, të cilën ia ka prezantuar Prokurorisë.