Një foshnjë, e cila lindi e vdekur, tetë ditë më parë, përfundoi në rrobalarësen e Spitalit të Pejës, pasi stafi dyshohet se nuk i ka zbatuar procedurat e protokollit. Babai i foshnjës ka treguar se e ka parë personelin mjekësor teksa i nxirrnin nga rrobalarësja pjesët e trupit të saj. Ai ka thënë se stafi i spitalit ka kërkuar që rasti të mos lajmërohet në polici. Për këtë është hapur rast hetimi, ndërsa me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nga puna është larguar kryeinspektori shëndetësor
Procedurat protokollare nuk u ndoqën në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës gjatë trajtimit të një gruaje shtatzënë, e për pasojë dyshohet se trupi i foshnjës së saj, që ishte e pajetë, përfundoi në rrobalarësen e Repartit të Gjinekologjisë.
Pjesët e trupit teksa nxirreshin nga rrobalarësja i pa vetë babai i foshnjës. Në kushte anonimiteti ai rrëfeu për KOHËN se si stafi mjekësor i ka kërkuar atij që rastin të mos e lajmëronte te organet e rendit.
“Më datën 13, rreth orës 7 pasdite, pas intervenimit kirurgjik, ka lindur foshnja e vdekur. Na është thënë që të nesërmen të vinim dhe ta merrnim trupin e foshnjës. Kur kemi shkuar sërish në spital e kemi vërejtur se diçka nuk është në rregull, mirëpo stafi nuk na informoi asgjë për situatën. Në një moment iu kam shkuar pas infermierëve dhe pashë që te rrobalarëset e spitalit i mblidhnin copat e foshnjës sime”, ka thënë ai.
Mbi pesë orë iu desh familjarëve të prisnin për ta marrë trupin e foshnjës.
Menaxhmenti i spitalit nuk ka pranuar të flasë para kamerës, as nuk ka dhënë sqarime lidhur me akuzat e prindit ndaj stafit mjekësor.
Përmes një komunikate të lëshuar nga menaxhmenti i Spitalit kanë bërë të ditur se janë suspenduar shtatë punonjës shëndetësorë. Në Odën e Infermierëve dhe Mamive kanë bërë të ditur se tri nga të suspenduarit janë mami, ndërsa njëra është infermiere me bachelor.
Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës kanë thënë gjatë ditës së enjte për KOHËN se për rastin ishin njoftuar institucionet, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë. Por, ndërkohë ata kanë ndryshuar përgjigjen duke thënë se nuk e kanë njoftuar Ministrinë.
Në Prokurorinë Themelore në Pejë kanë treguar se kanë nisur hetimet, mirëpo ende nuk ka të arrestuar.
“Kjo situatë është pak e ndjeshme e janë duke u zhvilluar hetimet intensive dhe varësisht nga përgjegjësia e personit apo personave që inkriminohen me vepra penale, atëherë do të merren veprime ligjore”, ka thënë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikqi.
Edhe pse kanë qenë të njoftuar nga fillimi për rastin, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës nuk është deklaruar publikisht.
E, Ministria e Shëndetësisë ka kritikuar Spitalin e Pejës për dështim në zbatimin e detyrave dhe informimin e drejtë mbi rastin. Ky institucion ka njoftuar se ka liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.