Në një votim procedural Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk ka miratuar agjendën e përkohshme të rendit të ditës, ku ishte kërkesa e delegacionit të Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Vetëm tre anëtarë votuan pro, e 12 tjerë abstenuan në votimin procedural.
Përfaqësuesit e Francës dhe SHBA-së insistuan se Rusia nuk është konsultuar fare me anëtarët e KS-së për këtë seancë. E përfaqësuesi i Rusisë ka insistuar se ajo kishte figuruar në agjendën dhe ishte publikuar në kalendar nga Presidenca Japoneze e OKB-së.
Kjo është hera e dytë brenda këtij viti Rusia po tenton ta shtrojë për diskutim çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Duke marrë shkas nga përvjetori i 25-të i intervenimit të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe, Moska u ka kërkuar anëtarëve të tjerë që t’ia mbështesin kërkesën, që sonte, prej orës 21:00, të flitet për intervenimin, por edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.
Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Robert Wood, tha se vota e SHBA-së ishte abstenim për shkak të çasjes së Rusisë.
“Është fatkeqe që Federata Ruse ia humbi kohën këtij Këshilli. Kjo ka të bëjë me çasjen e Federatës Ruse se është ose sipas rrugës sime ose fare. Këshilli nuk funksionon kështu. SHBA-ja nuk ka asgjë për të fshehur për sa i përket mbështetjes së saj për operacionet e NATO-s të vitit 1999, veprimet ishin të domosdoshme, legjitime, për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë. SHBA-ja votoi kësaj radhe për të abstenuar shkaku i çasjes së Rusisë. Por, mbështesim takim në formatin e duhur, që adreson çështjen e atij viti. S’mund të mbështesim seancë që në mënyrë flagrante instrumentalizon ngjarjet e një shekulli më parë. Fakti që Rusia shpreh kundërshtimin për pjesëmarrjen e Kosovës këtu sot, tregon për qëllimet e saj. Takimi që kërkoi Rusia nuk ka të bëjë me Këshillin, janë përpjekje të Kremlinit për të minuar stabilitetin në Ballkan e për të shfrytëzuar Këshillin për propagandë të saj”, tha Wood.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në një prononcim për gazetarë ka thënë se është i zhgënjyer që “nuk u lejua të dëgjohej në Këshill të Sigurimit e vërteta për agresionin e NATO-s kundër RF Jugosllavisë në vitin 1999”, raporton “RTS”.
“Ne erdhëm këtu me ftesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe besojmë se tema është jashtëzakonisht e rëndësishme për rendin juridik ndërkombëtar, dhe si me bombardimin e Serbisë që u bë precedent, ndodhi edhe një precedent me votimin procedural”, tha Daçiq.
Ai ka falënderuar Rusinë, Kinën e Algjerinë që kishin votuar pro mbajtjes së seancës që ishte thirrur nga Rusia.
“A ka nevojë për ndërhyrje humanitare kundër Prishtinës tash kur po bëhen krime ndaj popullit serb, kur 14 për qind e serbëve janë dëbuar në muajt e fundit, kur Prishtina nuk dëshiron të formojë AKS-në, por për këtë po shpërblehet me anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha Daçiq.
Rusia kërkon seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në KS të OKB-së, pak gjasa të mbahet
Për herë të dytë brenda këtij viti Rusia do të tentojë ta shtrojë për diskutim çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përmes një seance të jashtëzakonshme. Duke marrë shkas nga përvjetori i 25-të i bombardimeve të NATO-së, Moska zyrtare ka akuzuar Perëndimin se prishi rendin ndërkombëtar kur vendosi të hidhte bomba mbi ish-Republikën Federative të Jugosllavisë
Rusia ka ditë që po tenton ta ngrejë për diskutim çështjen e Kosovës në një seancë tjetër të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit. Duke marrë shkas nga përvjetori i 25-të i intervenimit të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe, Moska u ka kërkuar anëtarëve të tjerë që t’ia mbështesin kërkesën, që sonte, prej orës 21:00, të flitet për intervenimin, por edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.
Por, siç shkruan organizata që mbikëqyr punën e OKB-së, nuk është e sigurt nëse takimi do të zhvillohet, pasi anëtarët e tjerë të Këshillit mund të kërkojnë votim procedural në përpjekjen për ta bllokuar seancën.
“Më 6 mars, me kërkesë të Francës, Këshilli mbajti një takim nën ‘çdo çështje tjetër’ për të diskutuar kërkesën e Rusisë. Në atë takim duket se disa anëtarë të Këshillit vunë në dyshim urgjencën e mbajtjes së një takimi të tillë, pasi që situata në Kosovë tashmë ishte diskutuar më 8 shkurt dhe takimi i parë i rregullt i vitit do të mbahet në prill. Disa anëtarë mund ta përsërisin këtë argument, ndërsa theksojnë nevojën për një menaxhim më të matur të burimeve të Këshillit, veçanërisht në dritën e masave shtrënguese të prezantuara muajin e kaluar për shkak të krizës së likuiditetit të OKB-së. Këta anëtarë mund t'i referohen edhe një precedenti ku Këshilli mbajti një seancë për Kosovën pak para dhjetëvjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë, duke theksuar se ky takim ishte në kuadër të takimeve rutinë tremujore të Këshillit për Kosovën në atë kohë”, ka thënë organizata “Raporti i Këshillit të Sigurimit”.
Nëse seanca mbahet, do të ishte e dyta e jashtëzakonshme këtë vit për Kosovën, pas asaj që për temë pati çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë.
Organizata që trajton agjendën e Këshillit të Sigurimit u është referuar rasteve të tjera, kur për ngjarjet historike ka pasur diskutime në këtë mekanizëm.
“Këshilli ka thirrur mbledhje në raste të ndryshme për të reflektuar mbi ngjarjet historike, shpesh duke i lidhur këto diskutime me përvjetorët. Duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme politikisht të këtyre rasteve, takime të tilla zakonisht mbahen në formate joformale, duke përfshirë takimet sipas formulës ‘Arria’ dhe takimet në kuadër të ‘çdo çështjeje tjetër’. Për shembull, që nga viti 2019, anëtarët e Këshillit kanë mbajtur takime vjetore për Gjeorgjinë nën "çdo çështje tjetër" për të shënuar përvjetorin e luftës Rusi-Gjeorgji të vitit 2008. Në mënyrë të ngjashme, përvjetorët e lidhur me Ukrainën kanë nxitur disa takime. Midis viteve 2014 dhe 2021, anëtarët e Këshillit organizuan takime vjetore sipas formulës ‘Arria’ edhe në mars për të shënuar përvjetorin e aneksimit të Krimesë nga Rusia”, tha organizata.
Por kur vjen puna te Kosova, Rusia nuk dëshiron ta trajtojë vetëm në kontekst historik.
“Rusia pritet të argumentojë se bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë dhe shpallja e mëvonshme e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk duhet të shihen thjesht si ngjarje historike. Në vend të kësaj, Moska i sheh këto ngjarje si shkaqet rrënjësore të ndarjeve të vazhdueshme në Ballkan dhe fragmentimit të arkitekturës evropiane të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore. Për Moskën, ndërhyrja e NATO-s ishte fillimi i përpjekjeve për të përmbysur të drejtën ndërkombëtare, e cila mbështet marrëdhëniet ndërkombëtare me një rend subjektiv të bazuar në rregulla”, tha organizata.
Nëse takimi zyrtarizohet, Kosova dhe Serbia do të marrin pjesë sipas neneve 37 dhe 39 të rregullores së përkohshme të procedurës së Këshillit të Sigurimit.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha për “RTS” se një “rregull e pashkruar që vlen 5 vjetët e fundit te fuqitë e mëdha” është se kur inicion ndonjëra mbajtje të seancave të tilla, ato të mbahen.