I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk do të pritet në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka thënë për KOHËN se nuk do të ketë takim shkaku i agjendës.
“Presidentja Osmani nuk ka takim me z.Lajçak, shkaku i mospërputhjes me agjendën e paracaktuar të Presidentes”, ka thënë Kupina.
Lajçaku të martën do të takohet me kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi. Takimi pritet të nisë në orën 18:00.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Lajçak së fundmi është takuar në Athinë me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, me të cilin tha se kanë diskutuar për çështjen e dialogut.