Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë Qeverisë të mërkurën lidhur me Ligjin për Pagën Minimale, pas shqyrtimit të kërkesës për vlerësimin e tij nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas vendimit të Gjykatës, në përmbajtjen e Ligjit nuk ka diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ky ligj nuk u garanton pension në lartësinë e pagës minimale disa kategorive të shoqërisë. E një prej këtyre është ai i veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), përfaqësues të të cilëve kanë paralajmëruar për rinisjen e protestave pas vendimit të Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të mërkurën se nuk ka gjetur shkelje në Ligjin për Pagën Minimale.
Pas gati një viti që kur ky ligj është kontestuar për diskriminim dhe për shkelje të të drejtave të njeriut nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gjykata ka nxjerrë aktgjykimin i cili konstaton se Ligji nuk përmban ndonjë shkelje të kushtetutshmërisë. Në njoftimin mbi vendimin është bërë e ditur se Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të verbrit dhe për personat paraplegjikë e tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.
“Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që nenet 2, 3 dhe 4 të Ligjit të kontestuar nuk janë në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës... Ligji nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Me Ligjin për Pagë Minimale nuk parashihet që paga minimale të lidhet me pensionin e veteranëve, atyre të personave paraplegjikë e tetraplegjikë dhe të të verbërve.
Paga minimale, e cila ishte 170 euro, tashmë është ngritur në 264 euro, por kjo vetëm për punëtorët, pasi që pensionet e këtyre kategorive, sipas ligjit, do të përcaktohen me vendim të Ministrisë së Financave.
Vitin e shkuar veteranët patën protestuar kundër këtij ligji, por protestat i kanë pezulluar deri në një vendim të Kushtetueses.
E pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata, kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së, Faton Kliniku, ka paralajmëruar nisjen e sërishme të protestave.
“Qëndrimet tona janë se do t'i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti, i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme. Për format dhe kohën e protestimit do të takohemi si organe drejtuese për të vendosur”, ka thënë Kliniku.
Ligji për Pagën Minimale është miratuar në Kuvend më 13 korrik të vitit të shkuar, e dhjetë ditë më pas është dërguar për verifikim në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili është një prej zyrtarëve që e ka kundërshtuar këtë ligj, ka thënë se nuk i komenton vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se i mbështet ato pa marrë parasysh opinionin individual e partiak.