(Përditësimi 17:51) - Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takime është diskutuar për zgjidhje të përkohshme për të prekurit nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Ai ka thënë se palët janë pajtuar të vazhdojnë përpjekjet në javën e ardhshme “bazuar në propozimet konkrete”.
(Përditësimi 14:55) - Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, "por ata kanë paraqitur propozimin e tyre".
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi "bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje".
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve", tha ai.
Duke iu drejtuar mediave pas takimi, Petkoviq bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një rund tjetër bisedimesh.
“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë", sipas tij.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me kryenegociatorin Petkoviq, dhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre. /REL
Përfundon takimi Petkoviq - Lajçak
(Përditësuar 11:25) - Ka përfunduar takimi mes kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel ku po diskutohet për çështjen e dinarit, raporton “N1”.
Nis takimi Petkoviq - Lajçak
(Përditësuar 11:00) - Ka nisur takimi mes kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel ku do të diskutohet për çështjen e dinarit, raporton “N1”.
Pas takimit me Petkoviqin, Lajçaku, ndryshe nga hera e kaluar, do të takohet veçmas edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Më pas do të ketë takim trepalësh.
Beogradi kërkon që Banka Postare e Serbisë të lejohet të operojë në Kosovë, në mënyrë që t’i paguajë me dinarë qytetarët serbë, ndërsa Prishtina ofron konvertim ndërbankar të dinarëve në euro, në mënyrë që monedha evropiane më pas t'u jepet qytetarëve për përdorim në Kosovë.
Lajçaku është shprehur optimist se sot mund të arrihet një marrëveshje.
Sot takimi i radhës në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të zhvillojnë sot takim për të diskutuar lidhur me çështjen e dinarit.
Ky është takimi i katërt me radhë për këtë çështje.
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në fillim të javës ka njoftuar se do të presë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për të diskutuar për “zgjidhjen” lidhur me dinarin.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lajçaku ka thënë se pret që të dyja palët të kenë qasje të orientuar drejt zgjidhjes.
Takimi i fundit ku është diskutuar rreth Rregullores së Bankës Qendrore, me anë të së cilës ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovës është zhvilluar me 4 prill.
Kosova e Serbia në atë takim nuk kishin arritur pajtim.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, pas takimeve kishin konfirmuar mungesën e pajtimit ndërsa kishin akuzuar njëri-tjetrin për mungesë vullneti në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen.
Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës, kishte thënë se Kosova është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, sa i përket çështjes së dinarit teksa Serbia ka kërkuar kohë shtesë.
E kryenegociatori i Serbisë Petkoviq e ka akuzuar delegacionin nga Kosova se nuk ka treguar “vullnet të mjaftueshëm” për marrëveshje dhe se pret edhe një takim tjetër lidhur me çështjen e dinarit.
Takimet në nivel kryenegociatorësh në Bruksel janë zhvilluar pasi rregullorja e re e Bankës Qendrore (BQK), e cila e përcakton euron si të vetmen valutë për pagesa në Kosovë, ka nxitur reagimin nga Serbia dhe nga faktori ndërkombëtar rreth implikimeve që mund t’i ketë për serbët e Kosovës që pranojnë pagesa në dinarë nga Beogradi.
Pas përfundimit të takimeve më 4 prill emisari Miroslav Lajçak kishte thënë se janë përafruar dallimet midis palëve dhe se diskutimet do të vazhdojnë së shpejti mbi idetë e BE-së për kompromis.