(Përditësuar - 14:45) - Në mungesë të deputetëve ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në lidhje me numrin e kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash kërkohet që ministrat t’i raportojnë me shkrim Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për numrin e kontratave njëburimore dhe arsyeshmërinë e tyre. Po ashtu që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë të gjitha kontratat njëburimore, pas miratimit të kësaj rezolute, si dhe Qeveria të sjellë drafligjin e ri për prokurimin publik.
Krahas këtyre, Bajrami paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.
Mirëpo, kjo rezolutë nuk u hodh në votim për shkak se nuk kishte kuorum për vendimmarrje.
(E përditësuar 12:22) Përplasje mes deputetësh ka shkaktuar çështja e tenderëve njëburimorë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit,
Deputeti Halil Thaçi i LVV-së, i ka përmendur disa kontrata një burimore që sipas tij i ka nënshkruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
E, Bajrami ka mohuar se ka nënshkruar ndonjë tender sa ka qenë në ministri. Ndërsa, deputetin e VV-së e ka quajtur "hajn, rrenc".
“Zotëri Thaçi mos e shfrytëzo këtë kuvend për të gënjyer sepse të gjitha që i the janë gënjeshtra. Asnjë tender nuk është në shkruar më 2014, më 2015 është një tender 2100 euro unë nuk e kam nënshkruar, më 2016 është një tender nuk e kam nënshkruar, ke gënjy nuk e kam nënshkruar. Po gënjen”, i ka thënë ajo ndërkohë ka lëshuar ulësen e saj në Kuvend për t’i shkuar afër Thaçit.
Kurse, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka kritikuar ministrin Liburn Aliu se po i ikë përgjegjësisë.
“Për që rrenën e përdorni si dëshmi të inteligjencës kjo është faktuar. Ministri shkoi po ndoshta shkoi me dhanë dorëheqje morale për vendimin për Manastirin e Deçanit. Sepse ka qenë njeriu kryesor që bënte protesta bashkë me ne”.
Pas kësaj shefja e deputetëve të VV-së Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kësaj seanca i ka humbur kuptimi dhe se debati është vendosur në fyerje e ofendime.
“Edhe sikur kjo seancë të kishte ndonjë kuptim tashmë e humbi krejt për arsye se prej fillimit e kanë vendosur debatin në fyerje e ofendime. Deputetja që e thirri seancën na fyeu, na quajti hajna, shpifësa. Nëse nuk duan të diskutojnë me argumente në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes e lëshojmë këtë seancë”, ka deklaruar kusari Lila.
Pas kësaj deputetët e partisë në pushtet e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, përveç Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës. Sallën e ka lëshuar edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, pasi ka thënë se nuk mund ta vazhdojë kryesimin e seancës kur deputetët e tjerë i thonë se i përket një grupi (LVV) që janë hajna.
“Meqë po thoni se i përkas një grupi që janë hajn e shpifësa unë nuk mund të vazhdoj ta kryesoj seancën. Lus nënkryetarin qe nëse e ka vullnetin ta vazhdojë seancën”, ka theksuar Bogujevci.
Korenica ka thënë se do të votojë pro themelimit të komisionit hetimor për tenderët njëburimorë dhe ai më pas ka nënshkruar kërkesën për themelimin e komisionit hetimor për tenderët njëburimorë.
“Kontratat burimore janë nënshkruar edhe në qeveritë e kaluara. Më 2019, 68 milionë janë nënshkruar kontrata burimore ndërsa në krahasim me vitet e tjera ky vit është kampion i aneksa kontratave 13 milionë. Nëse e krahasojmë me 2022 del që më 2019 janë nënshkruar më shume. Unë pajtohem që kur kemi dyshime të argumentuara dhe të bazuara t’i ndjekim në rrugë institucionale t’i përcjellim në gjykata por edhe në të njëjtën kohë ose jo edhe të thërrasim komision hetimor parlamentar në mënyrë që të parandalojmë që paraja publike të mos keqpërdoret”, ka thënë Korenica.
VIDEO:
(E përditësuar 12:04) - Kusari-Lila dhe Gashi përplasen për kontratat njëburimore
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi dhe shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur në seancën e sotme ku po diskutohet për kontratat njëburimore.
Kusari-Lila, i ka pyetur partitë opozitare nëse e kanë lexuar para se ta nënshkruajnë kërkesën e seancës.
“Nëse e keni lexuar ju rikujtoj, ekskluzivisht keni shkruar Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike në vitin 2022 kishte kërkuar nga ZKA-ja për auditim të performancës për kontratat njëburimore të nënshkruara nga MMPHI-ja”, ka thënë ajo.
Gashi në anën tjetër i është kundërpërgjigjur duke i thënë se ajo po mundohet të bërtasë, por sipas tij, “faktet po bërtasin më shumë”.
“Ne e kemi ftuar qeverinë në seancë për kontratat njëburimore që i ka dhënë qeveria dhe institucionet që derivojnë nga ajo. Interesi ynë si thirrës të kësaj seance është të diskutohet për ato 1805 kontratat. Ideja e thirrjes edhe e shkruar edhe e deklaruar është shqyrtimi i projektrezolutës që ka të bëjë me tenderët njëburimor të dhënë nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti”, ka thënë ai
Kusari-Lila ka thënë se kampion për kontratat njëburimore janë qeveritë e kaluara.
“Arben është e vërtetë që faktet flasin shumë më fortë. Kur me fol për formën e qeverisjes nisu prej shtëpisë tënde. Kampion në kontratat njëburimore është qeveria e vitit 2008 dhe pason ajo e vitit 2015. Me krejt çfarë po mundoheni, hala as për së afërmi nuk është e krahasueshme. Sot nuk keni asnjë argument”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se deputetët mund të thërrasin sa herë të duan seancë derisa i mbledhin 40 nënshkrime. Ajo ka shtuar se sa ka qenë ajo në ministri, asnjë tender njëburimor nuk e ka nënshkruar.
“Shumë po ju pengon kjo seancë. Zonja Kusari me qenë e aftë i kishe thirrë të rregullta e s’të kishin pengu seancat tona. I kemi 40 nënshkrime dhe sa herë të na teket kemi me thirrë në përgjegjësi këtu. Ai ministri që iku që mundohet me u tregu i pastër, a e dini kur ia ka ndërruar vendin drejtorit të prokurimit kur thesari amerikan e ka shti në liste të zezë. Këta jeni ju, kur thesari amerikan e ka fut në listë të zezë atë babën e tenderëve që e quanin për qeverinë PAN. Ky është ministri që në qeverinë e tij dy vetë nënshkruajnë tenderë, Hysen Durmishi dhe Liburn Aliu, për shkak se kanë me e nda tallin. E kur flasim për kontrata të qeverive të kaluara përmendni me emra. Unë kam qenë në tri ministri asnjë tender burimor nuk e kam nënshkru. Andaj ju jeni të korruptum, frikacakë dhe shpifsa”, ka thënë Bajrami.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur se duhet të hapet hetim mbi këta tenderë.
“Shumë herët e kam diskutuar lidhjen e shkurtë të korrupsionit. Ju lutem shiheni rezultatin ku keni mbërri. Mund të arsyetohet një kontratë në ndonjë situatë të caktuar. Por fenomeni ju turpëron ju marron. Atëherë nëse nuk doni ta votoni rezolutën ju lutem ta keni guximin ftojeni hetuesinë”, ka thënë Haradinaj.
Aliu kërkon që seanca për tenderët njëburimorë të mbahet me praninë e të gjithë ministrave
(E përditësuar 11:50) - Pas propozimit të PDK-së që të formohet komision hetimor për tenderët njëburimorë, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se nuk e kupton pse i janë drejtuar vetëm atij për këtë çështje.
Aliu ka kërkuar që seanca për këtë çështje të shtyhet në një ditë tjetër kur të mblidhet i gjithë kabineti qeveritar aty. Ai ka theksuar se ka “0.8 për qind, nuk mundem me u përgjigj për ta”.
“Kam kënaqësinë të drejtohem para jush edhe pse nuk e di për çka më keni thirrë. Deputetja që e ka thirrur seancën e filloi dhe e përfundoi e përmendi njëherë Ministrinë e Infrastrukturës dhe tha 10 milionë. Me mujt me arsyetu pse më kanë thirrur mu. Në dy shtylla është arsyetuar thirrja e seancës nënshkrimi i kontratave burimore për 2021 dhe për 2023. Është dashur me u thirrë dikush tjetër por më keni thirrur mua. Pse ma drejtoni seancën mua”, ka thënë Aliu.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, i është përgjigjur ministrit duke thënë se e ka keqkuptuar pasi seanca s’ka të bëjë vetëm me ministrinë e tij.
“Ministër, ose nuk e ke lexuar materialin ose të kane qit në lajthitje. Ne nuk të kemi thirrur ty në raportim. Nuk ka të bëjë kjo vetëm me ministrinë tënde, por ka të bëjë edhe me ministrinë tënde. E para është Korporata Energjetike e Kosovës”, ka thënë Gashi.

(E përditësuar 11:44) - Tahiri për kontratat njëburimore: Ka dyshime për korrupsion
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se prokurimi publik ka për qellim të sigurojë në mënyrë transparente shfrytëzimin e parave të taksapaguesve.
Tahiri ka thënë se kontratat njëburimore edhe pse janë të lejuara ato në secilin vlerësim vendor dhe ndërkombëtar tregojnë se janë mjeti më i mirë potencial për dëmtimin e konkurrencës së lirë për korrupsion dhe favorizim nga sektori publik për sektorin privat.
“U mundova me i printu disa kontrata burimore. Kjo është lista e të gjitha ministrive dhe e organeve tjera kontraktuese. Po flasim për kontrata njëburimore duke përfshirë edhe anekse për një shumë të madhe të taksapaguesve që kanë shkuar në kontraktim njëburimor. Pse është problematike? Sepse kështu krijohet lidhja e shkurtë mes kontraktuesit dhe operatorit. Po kërkojmë që këta ministra të vijnë e të raportojnë për çfarë arsye i kanë nënshkruar këto kontrata burimore sepse ka dyshim për korrupsion. Ne kemi një institucion kushtetues ZKA, ajo ka rol të jashtëzakonshëm. Kur ta ftojmë si institucion në Kuvend duhet një auditim të veçantë që e auditon krejt këtë çështje. Kjo shumë kaq e madhe krejt këtyre kontratave nuk po i vije era e mirë dhe kjo mund të zbardhet nga raportimi i ministrave në Kuvend dhe investigimi i ZKA-së. Në Kuvend duhet të vijë ligji i ri i prokurimit publik që të adresohet kjo”, ka thënë ai
Duke folur për vendimin e të mërkurës për Manastirin e Deçanit, Tahiri ka thënë se Aleanca nuk e ka komentuar dhe nuk do ta komentojnë përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Por nuk mund të largohem nga foltorja pa i thënë këtij zotërisë që mungon (kryeministrit Kurti v.j.) që nuk ke lënë të zezë pa e bë, je ngritur mbi kultin duke ju thënë njerëzve jeni të shantazhuar, i ke marrë mbi 4 mijë vota për kauza që e ke ditur se nuk ke qare pa i bë”, ka thënë ai.
PDK-ja propozon komision hetimor për tenderët njëburimorë
(E përditësuar 11:22) - Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, ka thënë se ekzistojnë arsye të mjaftueshëm që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision hetimor për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë Qeverisë Kurti.
“Ato që kanë qenë problematike gjatë Qeverisë Kurti janë dy lloj kontratash që janë burim korrupsioni. Kur flasim për kontratat sekret ne nuk dimë çka ka ndodhur, nuk e dimë as vlerën e tyre as llojin e produkteve këtu përfshihen edhe vaksinat anti-covid. Nëse i shohim kontratat një burimore nga një hulumtim i Partisë Demokratike që është bërë në 7 institucione del që vlera totale për 2022 e 2023 është 153 milionë. Në total për dy vjet kapin shumë 153 milionë 220 kontrata. I përmenda vetëm 7 institucione dhe kjo është më se e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme që ta nisim një komision hetimor për ta bërë një hetim për këto kontrata”, ka theksuar Tahiri në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për tenderët njëburimorë.
“Me aq sa kemi parë ka material të mjaftueshëm për prokurori. Hetimi parlamentar do t’i procedojë në prokurori të gjitha ato kontrata që kanë elemente penale”, ka shtuar ai.

Deputetja e VV-së: Opozita po mundohet të ndërtojë kauza false

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralia, ka thënë se opozita e ka hallin te kauzat false që po mundohet t’i ndërtojë.
Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes në Kuvend për “kontratat njëburimore”, Bajralia ka thënë se ka 10 muaj që raporti i auditimit për kontratat njëburimore është publik.
“Raporti i auditimit për kontratat burimore është publik qe 10 muaj dhe është bërë me kërkesë të Komisionit për Financa publike. Ky raport është publikuar dhe është votuar në Komision me 27 shkurt të këtij viti që të vijë si pikë për diskutim në seancë të rregullt. Dua ta pyes deputeten Bajrami, a ka qenë vërtetë e nevojshme thirrja e kësaj seance të jashtëzakonshme. Ka 10 muaj qe raporti është publik dhe tani po e trajtojmë në seancë të jashtëzakonshme. E keni hallin te kauzat false që po mundoheni t’i ndërtoni”, ka thënë ajo.
Bajrami: Gjatë Qeverisë Kurti janë nënshkruar mbi 1800 tenderë njëburimorë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2 janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore, vlera e të cilave është rreth 240 milionë euro.
Në seancë e jashtëzakonshme që po mbahet sot, ku po diskutohet për kontratat njëburimore, Bajrami ka thënë se një e treta e buxhetit shpenzohet përmes prokurimit publik.
Ajo ka thënë se kontratat njëburimore janë burim i korrupsionit.
“Qëllimi është që të sigurojë mënyrë efikase dhe transparente të shfrytëzimit te buxhetit. Buxheti dëmtohet me kontrata njëburimore. Këto kontrata janë burim i korrupsionit. Autoriteti kontraktues zgjedh të punojë drejtpërdrejtë me një operator ekonomik dhe diskriminon të tjerët në treg. Kontratat me negocim të drejtpërdrejtë gjatë këtij mandatit po dalin të jenë metodë për abuzim me paranë publike”, është shprehur Bajrami.
Ajo ka thënë se kontratat e tilla mund të lidhen vetëm në kushte specifike.
“Raporti i fundit i Komisionit Evropian jep statistika alarmante, aty thuhet se në vitin 2022 janë nënshkruar mbi 10 mijë kontrata e një pjesë e konsiderueshme a tyre mbi 20 për qind thuhet se janë dhënë me procedura të negocimit, pa publikim të njoftimit për kontratë. Në mesin e abuzuesve prin KEK-u me 112 kontrata. KEK-u ka negociuar 13 kontrata me një kompani në vlerë prej 5.6 milionë eurosh. E kemi Telekomin, SHSKUK-në Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Kulturës. Ne e dimë që ju nuk keni bërë asgjë nuk keni realizuar asnjë premtim”, është shprehur Bajrami.
Sot Kuvendi në seancë e jashtëzakonshme diskuton për tenderët njëburimorë
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës.
Në seancën që është propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e është përkrahur edhe nga partitë e tjera të opozitës do të bëhet “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.
Përfaqësuesit e partive të opozitës, të hënën kur është caktuar seanca, kanë thënë se në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti janë dhënë numër i madh i tenderëve njëburimorë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se Qeveria Kurti “ka thyer çdo rekord” sa u përket tenderëve njëburimorë, ku sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 350 të tillë.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se këto kontrata janë burim i korrupsionit dhe e dëmtojnë buxhetin.