(E përditësuar 12:20) - Pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka lëshuar sallën në seancën e së mërkurës të Kuvendit Komunal të Prishtinës në të cilin parashihej të votohej buxheti për vitin 2025. Seanca përfundoi për shkak të mungesës së kuorumit dhe rrjedhimisht dështoi votimi i buxhetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se për shkak të pyetjeve të shumta rreth buxhetit preferon që përgjigjet t’i kthejë me e-mail.
Kjo nuk i pëlqeu shefit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçlës.
“Skandaloze është kjo çka po e thoni kryetar. Ju po na kërkoni të votojmë diçka që nuk dini të ktheni përgjigje. Kjo paraqet stagnim. Asnjë rritje nuk ka te buxheti…. Le ta dijnë qytetarët e Prishtinës që ti nuk e dinë çka ka në atë buxhet”, ka thënë Sveçla e më pas asamblistët e kësaj partie lëshuan sallën.
PDK-ja e lëshon seancën ku pritet të votohet buxheti për vitin 2025
(11:55) - Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës të mërkurën e kanë lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës në të cilën në rend dite është votimi i buxhetit për vitin 2025.
Drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, ka thënë se nuk është zgjidhje ikja nga salla.
“Nuk është zgjidhje me i ik përgjegjësive me ik nga salla. Ne jemi këtu për të diskutuar, të lutem”, ka thënë Makolli.
Por asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se derisa nuk respektohet ligji nuk kanë pse të qëndrojnë në sallë.
“Derisa nuk e respektoni ligjin për realizimin e dëgjimeve publike para sjelljes në Kuvend për votim, ne nuk kemi për çfarë të qëndrojmë në këtë sallë”, ka thënë Retkoceri.