Arbëri

S’jepen detaje për dy të infektuarit me koronavirus në Kosovë

Dy raste me pandeminë koronavirus, tashmë janë konfirmuar pozitive në Kosovë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Qeverinë e Kosovës, është thënë se dy rastet e të infektuarve me koronavirus janë një shtetas kosovar 77-vjeçar dhe një grua 20-vjeçare, shtetase e Italisë, raporton KOHA.

Këtë e konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

E në konferencën e mbajtur edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe Naser Ramadanin, drejtor i IKSHPK-së, nuk janë dhënë detaje se si këta dy persona janë infektuar.

Megjithatë, ministri Vitia tha se 15 raste ishin duke u testuar gjatë së premtes në Infektivë, dhe vetëm 2 raste u konfirmuan pozitive.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pavarësisht dy rasteve pozitive me koronavirus, duhet ruajtur qetësinë. Ai shtoi se vendi po e shqyrton mundësin e mbylljes së kufijve, ndonëse kjo do të ndodhë pjesërisht.

E drejtori i Institutit, Ramadani, ka thanë se do të ndërmarrin masat e shtuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Kosova, deri të premten ishte një prej dy shteteve evropiane, bashkë me Malin e Zi që ende nuk kishin të infektuar me koronavirus.

Autoritetet me këtë rast kanë thënë se për të gjitha rekomandimet dhe vendimet rreth situatës, publiku dhe qytetarët do të njoftohen në kohë reale.