Arbëri

Sizmologu thotë se shteti s’ka punuar siç duhet për t’i ulur rreziqet nga tërmetet

Shemsi Mustafa nga Rrjeti sizmologjik i Kosovës ka alarmuar se institucionet e Kosovës nuk i kanë kryer punët siç duhet për të siguruar që objektet e larta nuk janë të rrezikuara nga tërmetet e mundshme që mund ta shkundin Kosovën.

Duke komentuar situatën në Turqi e Siri, ku tërmeti i së hënës në shkallë 7.8 la mbi 22 mijë të vdekur, Mustafa ka thënë se në këtë vend ka pasur hendek mes komunitetit të sizmologëve dhe të projektuesve.

Ai ka përsëritur se institucionet e projektuesit duhet t’u besojnë hartave të rrezikut sizmik. Një e tillë është bërë edhe në Kosovë më 2008, sipas Mustafës. Ai ka thënë se janë bërë studime makrosizmike e më pas edhe mikro. Sipas tij, harta e bërë para më shumë se një dekade është e mjaftueshme për t’u konsideruar si bazë për projektime, ndërsa për zonat urbane dhe ndërtimet e larta ka thënë se duhen analiza shtesë.

Për lagjen “Ulpiana” ai ka thënë se është bërë një mikrozonim sizmik më 2010 për rreth 40 hektarë. Ka shtuar se ky raport i është dorëzuar Komunës së Prishtinës.

“Në bazë të studimit, ka rezultuar që janë parametra të ndryshme me topografi të ndryshme nga 1.4 faktori i amplifikimit të dheut deri në 1.6. Është e mjaftueshme për projektuesit dhe zyrtarët komunalë të shohin, në bazë të atij studimi, të gjitha ndërtesat, sepse këto studime janë edhe për objektet ekzistuese edhe ato që projektohen. Nga parametrat e jep qartë se për komunitetin projektues a duhet të përforcohen ndërtesat apo të rrënohen të tëra, sepse me tërmet të pritshëm sipas hartës së rrezikut sizmik për territorin e Kosovës, nuk e përballon dhe vjen te shkatërrimi. Po flasim për Ulpianën”, ka thënë Mustafa në emisionin “038” në KTV të premten.

Duke komentuar lagjen e shumëpërfolur “Arbëria”, ai ka thënë se aty “është ndërtuar mbrapsht”. Ka treguar se më 2006 edhe aty janë bërë studime mikrosizmike, e se është zonë me rrezik të lartë sizmik. Ka thënë se nuk e di sa janë përfillur parametrat nga projektuesit.

“Ajo që më ka rënë në sy për keq, si ekspert i fushës, për mua ishte e habitshme kur nisën ndërtimet sepse duhet nisur me etazhe, nga hekurudha me përforcime me pilot deri në pjesën më të lartë. U pa që u nis nga poshtë dhe ku u prekte masa e dheut ka pas rrëshqitje. Është ndërtuar mbrapsht. Është dashur të ndërtohet nga poshtë-lartë me etazh-pilote sepse ka rënie, ka topografi, dhe duke llogaritur ujëra nëntokësore... S’di si menaxhohen projektet nga niveli lokal sepse s’mund t’u ikë përgjegjësive fare deri sa lejohet të ndërtohet në atë mënyrë. Kur e jep lejen për ndërtim, duhet t’u tregojë kushtet e ndërtimit të atyre projekteve të planifikuar për një zonë të caktuar”, ka deklaruar më tej Mustafa.

Ai ka alarmuar edhe për disa ndërtesa te “Qafa” në kryeqytet. “Element mbajtës i kanë muret. Ato për çështje të bizneseve janë larguar muret dhe muri është element mbajtës. Në disa lokale janë larguar, në bazë të disa informatave. Të gjithë ata banorë që jetojnë mbi këto lokale rrezikohen me ndonjë tërmet të pritshëm”, ka shtuar ai.

Duke theksuar se tërmetet s’mund të parashikohen, Mustafa ka thënë se shteti e ka obligim të ndërtojë rrjete sizmike e t’i përcjellë në vazhdimësi.

Sipas tij, përpilimi i hartës së rrezikut sizmik i para një dekade është bërë me perimetra shumë bazikë. Sipas hartës, Mustafa ka thënë se Kosova ndahet në tri zona, duke nisur nga zona veriore që nis nga Mitrovica deri në kufi dhe ajo veriperëndimore që nis nga Vrella e Istogut; te zona e Prizrenit; dhe ajo Ferizaj-Viti-Gjilan.

“Janë tri zonat që në të ardhmen bazuar në hartën e rrezikut sizmik me periudhë përsëritëse 475 vite mund të goditen me tërmet maksimal 6.5 shkallë të Rihteerit. Zona Prishtinë-Mitrovicë dhe Drenica mund të goditen me tërmet maksimal 6.1 shkallë të Rihteerit. Kjo tregon se të gjithë projektuesit, arkitektët ndërtimtarët duhet t’u përmbahen hartës së rrezikut sizmik. Ligjin e ndërtimit e bën Ministria. Në atë ligj bazohen niveli lokal. I ka në dorë të gjitha. Niveli lokal duhet të shtrëngojë masat, e të fillojë të merren masa në këtë aspekt. Një dekadë pas lufte, euforia për të ndërtuar më shpejt, ka qenë ndërtim i egër... Projektimi mund të jetë në nivel, por ekzekutimi mund të mos jetë bërë. Duhet të inspektohet bazuar në projekt deri në finalizim”, ka thënë ai.

Mustafa ka komentuar edhe gjendjen e ndërtimeve në Fushë-Kosovë. Ka thënë se kur ka ndodhur tërmeti i para pak vitesh në Durrës, ka pasur raste të dëmeve jostrukturore edhe në Fushë-Kosovë, 220 kilometra larg Durrësit në vijë ajrore.

“E tash po të mendohet se një tërmet i asaj fuqie të ndodhë më afër, çka do të ndodhte kur kemi pas disa dëme të elementeve jostrukturore. Çdo tërmet që po godet te qytetarët po krijohet një shqetësim. Po ka panik, edhe unë jam me ta sepse nuk e dinë ku banojnë. Sa janë të qëndrueshme ndërtesat”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se rasti më i mirë për t’i kontrolluar të gjitha objektet ka qenë në kuadër të legalizimit të objekteve. Sipas tij, është dashur të krijohet një komision që të kontrollojë çdo objekt se a i plotëson kriteret apo jo.

“E dimë që ka mbindërtime, ka objekte me shtim dy-tre kate. Këto duhet të ndalen e të niset për së mbari sepse është në pyetje jeta e qytetarit. Tërmeti s’ndodh çdo ditë. Ndodh njëherë dhe shihet çfarë tragjedie bën. Derisa të gjitha institucionet nuk koordinohemi e s’ka koordinim të mirëfilltë duke nisur nga aspekti sizmik nga zyra e sizmologjisë e deri te zyrtari më i thjeshtë që merret me këtë çështje që e bën pranimin e del e inspekton, s’kemi bërë asgjë. Nga sizmologjia ka shkëputje te projektuesit, nga projektuesi te zyrtarët komunalë, tek inspektimi, menaxhimi deri në fund ka shkëputje. S’është punuar në formë harkore. S’është punuar siç punohet në Perëndim. Atje nuk ka shans një pllakë të vendoset pa ardhur dikush nga niveli komunal e të shihet si po vihet”, ka përfunduar Mustafa.