Mësimdhënëset e ndërrimit të dytë ua kontrollojnë temperaturën fëmijëve, në mënyrë që të sigurohen se nxënësit janë të shëndetshëm për ta mbajtur mësimin. Ky është i vetmi kontroll që aktualisht po u bëhet fëmijëve në këtë kohë pandemie, pasi për këtë vit nuk janë duke u realizuar kontrollet sistematike nga mjekët për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia.
Drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, Kimete Dida, thotë se ato nuk duhet të ndërpriten as tani, meqë kujdesi ndaj fëmijëve duhet të jetë parësorë.
Edhe Ymret Reshiti nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka kërkuar që mjekët të shkojnë për vizita në shkolla, meqë mund të parandalohet përshpejtimi i sëmundjeve te fëmijët, nëse trajtohet me kohë.
“Kontrollet duhet të bëhen edhe prej mundësive të QKMF-ve nëpër komuna. Kontrollet do të duhej të jenë të rregullta së paku dy herë në vit por edhe sipas kërkesës së shkollave për kontrolle të tjera”, ka thënë Reshiti.
E kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë, Sami Uka, pohon se tash për tash nuk ka resurse humane për realizimin e këtyre kontrolleve mjekësore.
“Ne e dimë që ende niveli i përgatitjes së trupës arsimorë për ofrimin e lëndëve të caktuara nga shëndetësia sidomos në kuptimin e temave tabu siç është shëndeti riprodhues apo edukimi seksual që është temë e veçantë për moshat e adoleshencës që i frekuentojnë shkollat tona nuk janë të përgatitur ta ofrojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Uka.
Kontrollet shëndetësore të fëmijëve i parasheh edhe Rregullorja për Organizmin e Punës në Shkolla fillore e të mesme.
Neni 48 i saj thotë që duhet të ketë kontrolle të rregullta mjekësore në shkollë, si dhe të bëhen vlerësime për shëndetin e fëmijëve.