Lumi Istog në tërë gjatësinë e tij prej 5 mijë e 300 metrash, prej burimit në Istog e deri në derdhje në lumin Drin, do të rregullohet sivjet me projektin “Rregullimi i shtratit të lumit Istog”, financimi i të cilit bëhet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Përfituese të këtij projekti janë Komuna e Istogut dhe ajo e Klinës, territorin e të cilave e përshkon lumi Istog.
Komunat janë pajtuar që komuna lidere e projektit të jetë Komuna e Klinës, por që të dyja komunat janë të obliguara që të raportojnë në ministri për rrjedhat e realizimit të projektit sipas dinamikes së punimeve e deri në përfundim të projektit, që ka një vlerë prej 246 mijë eurosh. Me këtë projekt, siç tregon drejtori i Urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku, do të rregullohet komplet shtrati i lumit në gjatësinë e tij, deri në derdhjen në lumin Drin, shkruan sot Koha Ditore.
“Do të rregullohet shtrati i lumit me argjinatura, jo me beton e gurë, por me shtresa të argjilës”, tregon Marleku për punët që do të kryhen në shtratin e këtij lumi. Mjetet e ndara nga Ministria janë të planifikuara për këtë vit buxhetor, andaj, siç thotë Marleku, projekti duhet gjithsesi të kryhet sivjet, përndryshe mund të humben mjetet. Aktualisht projekti është në fazën e hartimit dhe brenda këtij muajit pritet të nisin edhe procedurat tenderuese, që do të kryhen nga Komuna e Klinës. I.O.