Arbëri

Sivjet fillojnë procedurat për telefoninë e tretë mobile në Kosovë

Kodi shtetëror i telefonisë +383 , ka gjasa që do të implementohet tek operatorët e telefonisë mobile edhe fikse në dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ndonëse afati i fundit kur operatorët e licencuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) e kanë 30 qershorin e këtij viti.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) Kreshnik Gashi në një intervistë për Kosovapress.

Gashi ka thënë se gjatë këtij viti do të fillojnë procedurat përgatitore për telefoninë e tretë mobile.

“Kodi shtetëror i telefonisë +383 do të implementohet tek operatorët e telefonisë mobile edhe fikse deri në fund të qershorit të vitit 2018. Kur e them këtë, e përmend datën e fundit në të cilën kodet aktuale duhet të shuhen dhe duhet të ekzistojë kodi 383 në thirrjet hyrëse dhe në thirrjet dalëse. Ekzistojnë disa hapa shpresëdhënëse tek operatori më i madh Telekomi i Kosovës dhe shpresojmë që kodi 381 të mund të largohet ndoshta këtë muaj, në muajin e pavarësisë së Kosovës “, tha Gashi.

Ai po ashtu ka thënë se në këtë proces të vendosjes së kodit shtetëror përfshin edhe operatorin mobil serb MTS D.O.O. i cili operon në zona të limituara.

Ky operator sipas Gashit i raporton ARKEP-it dhe se është duke iu përmbajtur marrëveshjes së arritur në Bruksel .

“Përndryshe operatorët janë të obliguar, gjitha operatorët, përfshirë edhe operatorin që operon në një pjesë të caktuar në kornizë të limituar dhe me licencë të limituar edhe ai edhe gjithë operatorët të tjerë janë të obliguar që deri më datën 30 qershor të kalojnë në kodin +383 ne thirrjet ndërkombëtare. Operatori i përkohshëm dhe me infrastrukturë të kufizuar MTS. DOO është duke i raportuar ARKEP-it dhe është duke ju përmbajtur marrëveshjes së telekomit në bazë të së cilës ekziston . Që do të thotë që është duke funksionuar plotësisht bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës.“, tha Gashi.

Teksa ka folur për telefoninë mobile, Gashi ka thënë se këtë vit do të fillojnë me procedurat për telefoninë e tretë mobile në vend.

“Telefonia e tretë mobile në Republikën e Kosovës , varet nga procesi që quhet hapja e brezave frekuencore, i cili proces është në planin e ARKEP për vitin 2018-të. Sigurisht që një hap i tillë bëhet edhe në konsultim me institucionet tjera , veçmas në konsultim me ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Qeveri e Kosovës. ...Ne planifikojmë që para fundit të vitit 2018 të kemi një vendimmarrje konkrete sa i përket hapjes së brezit përkatësisht hyrjes së operatorit të tretë të telefonisë mobile. Që do të thotë procedurat për këtë do të hapen deri në fund të vitit . Nuk mund të jem i sigurte se a do të jetë fillimi i vitit 2019-të kur do të fillohet me operatorin e tretë të telefonisë mobile por procedurat do të hapen këtë vit gjithsesi . Tash është varet sa zgjasin procedurat, varësisht nga forma e dhënies së brezit . Ka mundësi që brezi të jepet me ankand apo me tender dhe kjo është një vendimmarrje që i takon ARPEP-it në bashkëpunim me Qeverinë “, tha Gashi.

Ai po ashtu ka thënë se ARKEP i ka ndryshuar edhe tarifat për frekuenca. Ku sipas tij, operatorët e telefonisë mobile dhe fikse , por edhe operatorët e internetit paguajnë në Republikën e Kosovës për linqet mikrovalëve dhe për frekuencat që ata kanë në shfrytëzim në dy forma në blerjen e tyre fillimisht dhe në pagesën vjetore të mirëmbajtjes.

“Në fillim të vitit 2017 në ARKEP- ka ardhur një kërkesë nga Telekomi i Kosovës si dhe nga operatori IPKO për rishikim të këtyre frekuencave përkatësisht për rishikim të çmimeve vjetore të mirëmbajtjes së frekuencave . ... Si rezultat ARKEP në nëntor të vitit 2017-të ka filluar procesin e rishikimit të rregullores për mbikëqyrje vjetore të frekuencave të përcaktimit të çmimeve për mbikëqyrje të çmimit të frekuencave. Pas konsultimeve me gjithë faktorët relevant... ka ardhur në përfundim se ka nevojë për një rishikim dhe ka bërë zvogëlimin e çmimit të mbikëqyrjes vjetore të frekuencave për një masë diku rreth 30 për qind . Që do të thotë se nga të hyrat rreth 4 milion vjetore që paguajnë operatorët në përgjithësi në ARKEP diku janë mbi 60 operatorë që paguajnë për mbikëqyrje vjetore të frekuencave . Këto të hyra do të bien diku rreth 30 për qind”, tha Gashi.

Ai në fund ka thënë se në përgjithësi shërbimet e operatoreve mobil janë në përmirësim të vazhdueshëm. Sipas tij, ky treg është shumë dinamik dhe operatorët duhet të investojnë në vazhdimësi . Aktualisht, sipas tij, ka një mbulueshmëri mbi 70 % të popullsisë me shërbimin 4G dhe se gjithmonë ekziston nevoja për investime të vazhdueshme sidomos në zonat me koncentrim më të madh urban.