Gjatë këtij viti 25 aksidente të trafikut janë regjistruar në rrugën rajonale Lipjan–Magurë, që lidhet me aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”. Si pasojë e rritjes së vazhdueshme të këtyre rasteve në tre vjetët e fundit, Policia ndërmori fushatë sensibilizuese me nxënës të shkollave përreth këtij aksi rrugor, me qëllim të informimit të tyre mbi rrezikun që u kanoset
Njëzet e pesë aksidentet e trafikut të evidentuara gjatë këtij viti në rrugën rajonale Lipjan–Magurë kanë aktivizuar Policinë që të ndërmarrë fushatë sensibilizuese me nxënës filloristë të zonës mbi rrezikun në komunikacion.
Zyrtarë policorë kërkuan nga nxënësit që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vajtje-ardhjeve në shkollat që ndodhen në afërsi të këtij aksi rrugor, që lidhet me aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Bedri Limani, rreshter i Policisë në Lipjan, bëri të ditur se gjatë tre vjetëve të fundit në këtë aks është shënuar rritje e vazhdueshme e aksidenteve.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është sensibilizimi i nxënësve të shkollave, sepse në këtë rrugë regjionale Lipjan–Magurë ka shkolla afër rrugës dhe ata normal që janë të rrezikuar, për shkak të numrit të madh të veturave që qarkullojnë në këtë rrugë, sepse e njëjta rrugë të çon në aeroportin ndërkombëtar. Në periudhën 2021 i kemi pasur 19 aksidente të trafikut, ndërsa në vitin 2022 i kemi pasur 22 aksidente dhe në këtë vit të 2023-s derisa po flasim i kemi 25 aksidente të trafikut”, ka thënë Limani.
E për të shmangur aksidentet drejtori i shkollës fillore “Migjeni” në fshatin Rufc të Lipjanit, Metush Jashanica, kërkoi prani më të madhe policore në periudhat kur bëhen ndërresat në oraret mësimore.
“Ka qarkullim dhe tejkalim të shpejtësisë. Ne e dimë para një shkolle sa është e lejuar lëvizja e lejuar e një veture. Por kemi raste kur e dyfishon shpejtësinë dhe aty drejtpërdrejt nxënësit na rrezikohen. Kisha kërkuar nga Stacioni Policor të vijnë më shpejt së paku dy herë në muaj afër shkollës në këtë interval kohor prej 12:20 deri 12:35, sepse këtu është lëvizje shumë e madhe e nxënësve, prindërve dhe ka shumë qarkullim të madh”, ka deklaruar Jashanica.
Zyrtarët policorë, si pjesë e fushatës sensibilizuese, u shpërndanë nxënësve edhe fletushka informuese mbi mënyrat e sjelljes në komunikacion.